Select Page

– “Edhe të tjera që ju i dëshironi, si …” – Përveç shpërblimit të madh në ahiret, ju do t’ju jepet edhe një shpërblim i shpejtë në dynja, të cilin ju e dëshironi shumë:

“… ndihmë prej Allahut dhe fitore të afërt.” – Allahu do t’ju japë fitore mbi armiqtë tuaj, e cila do t’ju sjellë krenari dhe gëzim. Kështu do të hapet rrethi i Islamit dhe do të shtohen begatitë. Ky është shpërblimi i premtuar besimtarëve që luftojnë dhe përpiqen në rrugën e Zotit. Por edhe besimtarëve të tjerë, të cilët nuk kanë marrë pjesë në xhihad, Allahu i Lartësuar nuk ua pret shpresën për mirësitë e Tij. Duke dhënë një premtim gjithëpërfshirës, Ai thotë:

– “Atëherë, përgëzoji besimtarët!” – Përgëzoji ata me një shpërblim të madh në jetën e dynjasë dhe në jetën tjetër. Secili do të shpërblehet sipas gradës së imanit, edhe pse nuk do të jetë në të njëjtin nivel me ata që kanë luftuar në rrugën e Zotit. Profeti (a.s.) ka thënë: “Me të vërtetë, në Xhenet ka njëqind grada, hapësira mes çdonjërës prej të cilave është sa hapësira mes qiellit dhe Tokës. Këto, Allahu i Lartësuar i ka përgatitur për luftëtarët në rrugën e tij”.186 Pastaj i Lartësuari thotë:

186 Në një kopje tjetër të këtij Tefsir-i, në vend të këtij hadithi, autori shkruan: “Profeti (a.s) ka thënë: “Për atë që është i kënaqur me Allahun si Zotin e tij, me Islamin si fenë e tij, me Muhamedin (a.s.) si profetin e tij, për atë është bërë detyrë Xheneti.” Ebu Seid el Hudriu (transmetuesi i këtij hadithi) u çudit nga këto fjalë dhe tha: “Ma thuaj edhe një herë, o i Dërguari i Allahut!” Ai ia përsëriti dhe pastaj tha: “Por është edhe diçka tjetër, nëpërmjet së cilës robi ngrihet nëpër 100 gradat e Xhenetit, hapësira mes çdonjërës prej të cilave është sa largësia mes qiellit dhe Tokës.” – “Cila është ajo vepër, o i Dërguar i Allahut?” – pyeti Ebu Seid el Hudriu. Profeti (a.s.) tha: “Xhihadi në rrugën e Zotit, xhihadi në rrugën e Zotit”. Këtë hadith e ka shënuar Muslimi.