Select Page

Allahu i Lartësuar na mësoi që një divorc i rregullt kërkon të plotësohen disa rregulla, mes të cilave edhe kohëpritja (el iddeh). Në vijim tregohen disa rregulla që lidhen me kohëpritjen, në raste raste të ndryshme:

– “Për ato gra, të cilave u është ndërprerë cikli mujor, nëse nuk jeni të sigurt për to, dijeni se koha e pritjes së tyre është tre muaj, …” – Flitet për gratë që kanë pasur menstruacione, por pastaj u janë ndërprerë për shkak të moshës ose për shkaqe të tjera, dhe nuk shpresojnë më që ato t’u kthehen. Kohëpritja e kësaj kategorie është tre muaj. Kështu, në vend të çdo periode llogaritet një muaj.

“… e po kaq është edhe për ato që ende nuk u kanë ardhur të përmuajshmet.” – Domethënë, për vajzat që ende nuk u kanë ardhur periodat, për shkak të moshës shumë të re, ose për ato vajza të rritura të cilave ende nuk u kanë ardhur periodat plotësisht dhe qartësisht. Edhe këto konsiderohen si kategoria e mësipërme, për sa i përket kohëpritjes. Ato duhet të presin tre muaj.

Kohëpritjen e grave që u kanë ardhur rregullisht periodat, Allahu i Lartësuar e ka përcaktuar në suren Bekare, ajeti 228, ku thotë: “Gratë e divorcuara janë të detyruara të presin deri në tri perioda.” 189

  “Për shtatzanat, afati i pritjes është derisa ato të lindin.” – Kështu, koha e pritjes së tyre nuk matet as me muaj dhe as me perioda.

“Kush bëhet i devotshëm ndaj Allahut, Ai ka për t’ia lehtësuar punët.” – Atij që i druhet Allahut të Lartësuar, duke zbatuar porositë e Tij, Allahu ia lehtëson çështjet dhe çdo gjë të vështirë ia bën më të thjeshtë.

189 Dijetarët kanë mendime të ndryshme rreth kuptimit të fjalës “kur’un”, që është përmendur në ajet. Kështu, disa janë të mendimit se ajo tregon ciklin e mestruacioneve. Pra, sipas këtij shpjegimi, gruaja e ndarë duhet të presë deri sa t’i kalojnë tri cikle mestruacionesh. Ndërsa të tjerë mendojnë se me fjalën “kur’un” është për qëllim shikimi i pastrimit, pas përfundimit të mestruacioneve.

Sipas këtij mendimi, gruaja e ndarë duhet të presë sa të bëhen tri periudha pastrimi. Megjithatë, më i saktë është mendimi i parë, që thotë se ‘kur’un’ quhet cikli i mestruacioneve. Pra, sipas mendimit më të saktë, gruaja duhet të presë që asaj t’i vijnë tri herë të përmuajshmet.