Select Page

“A mos kanë ata shkallë të larta, mbi të cilat përgjojnë?” – A kanë ata njohuri rreth të fshehtave të Zotit apo ndonjë mundësi që të dëgjojnë bisedat e qiellit, dhe në këtë mënyrë të dinë atë që të tjerët nuk e dinë?

“Atëherë, le të sjellë përgjuesi i tyre ndonjë provë të sigurt!” – Ai që pretendon të tilla gjëra, le të sjellë ndonjë provë të pranueshme. Po si mund të ndodhë një gjë e tillë, madje si mund të mendohet ajo? Allahu i Madhëruar është i Gjithëditur për të fshehtat dhe të dukshmet dhe nuk ia tregon askujt të fshehtat e Tij, përveç atyre që i ka përzgjedhur si profetë, të cilëve u mëson aq sa Ai dëshiron.

Muhamedi (a.s.) është profeti më i zgjedhur, më i ditur dhe imami i të gjithë profetëve. Ai njoftoi botën me lajme nga i Madhëruari dhe i urdhëroi ata që ta njësojnë Atë në adhurim. Ai erdhi ndër njerëz me përgëzime dhe kërcënime dhe solli rrëfime të vërteta për të shkuarën dhe të ardhmen. Ndërsa nga ana tjetër qëndrojnë mohuesit e profetëve, të paditurit, të padrejtët e armiqtë e të vërtetës, që trillojnë lloj-lloj gënjeshtrash të pabaza.

Atëherë, cili e meriton të dëgjohet dhe të pasohet? Profeti solli aq shumë prova e mrekulli për vërtetësinë e Shpalljes së Zotit, saqë ajo tashmë konsiderohet si dituria më e sigurt dhe e padiskutueshme. Ndërsa pala tjetër nuk arrin as të justifikohet për rrugën që ka zgjedhur, e aq më pak, të argumentojë saktësinë e saj.