Select Page

– “Ditën kur të zbulohet Kërciri …” – Ditën e Kijametit, kur të fillojnë dridhjet, tmerret dhe ankthet që nuk mund të imagjinohen, atëherë kur Allahu i Lartësuar do të vijë për të dhënë gjykimin dhe shpërblimin me drejtësi mes krijesave, atë ditë Allahu i Lartësuar do të zbulojë atë që quhet ‘Essâķ’, pra, Kërcirin e Tij, që nuk i përngjan asgjëje që Ai ka krijuar. Atë ditë krijesat do të shohin prej madhështisë së Allahut shenja që nuk mund të shpjegohen me fjalë. Pikërisht në të tilla gjendje që ta zbrazin shpirtin dhe zemrën, ata ftohen për të rënë në sexhde para të Madhëruarit. Thotë i Lartësuari:

– “… dhe ata do të ftohen për të bërë sexhde, por nuk do të munden. Të përulura e të tmerruara janë shikimet e tyre, ndërsa ata i kaplon poshtërimi …” – Pas kësaj ftese, të gjithë besimtarët të cilët edhe në këtë jetë kanë rënë në sexhde për Allahun e Lartësuar me dëshirë dhe me bindje, do të bien në atë sexhde shumë madhështore dhe qetësuese. Ndërsa kriminelët qafirë dhe munafikë nuk do të munden që të bien në sexhde. Shpinat e tyre do të bëhen të forta e të ngurta si brirët e lopëve, kështu që nuk do të mund të përkulen. Ky është një shpërblim i merituar për ta, sipas veprave që kanë bërë.

  “… Ata u ftuan të bënin sexhde kur ishin të aftë.” – Ata ftoheshin vazhdimisht në dynja për të rënë në sexhde për Allahun e Lartësuar dhe për ta adhuruar Atë si Një i vetëm. Ata i kishin të gjitha mundësitë për ta bërë një gjë të tillë, por, me arrogancë, i kthenin shpinën kësaj ftese të Zotit të tyre. Atëherë, mos pyet për gjendjen e tyre fatkeqe dhe për përfundimin e tyre të frikshëm. Allahu është i zemëruar me ta dhe ndëshkimi është bërë tashmë i pakthyeshëm për ta. Shpresat, mundësitë dhe mjetet e tyre nuk bëjnë më dobi. Madje edhe pendimi apo kërkimi i faljes janë të pavlefshme atë ditë. Këto përshkrime mjaftojnë për ta shqetësuar zemrën në mënyrë të tillë që ajo t’u largohet gjynaheve dhe mosbindjes dhe të kthehet e penduar dhe e nënshtruar te Zoti i saj, përderisa ka ende kohë. Çdokush që ka siguri në fjalën e Zotit përpiqet të arrijë ato gjëra që ka lënë mangët.