– “Besimtarët e vërtetë do t’i bashkojmë me ata pasardhës të tyre që i pasojnë në besim, duke mos u pakësuar asgjë nga veprat e veta.” – Ky është një plotësim i shpërblimit dhe i lumturisë së banorëve të Xhenetit. Fëmijët që pasojnë prindërit e tyre në besim dhe vepra të mira, Allahu i Lartësuar ua bashkëngjit prindërve, që mund të jenë në grada më të larta në Xhenet.
Kjo bëhet për të shtuar nderimin e këtyre prindërve, por edhe për të shtuar shpërblimin e fëmijëve që ndjekin rrugën e drejtë të paraardhësve besimtarë. Po kështu ndodh edhe anasjelltas: nëse fëmijët janë në grada më të larta, Allahu i Lartësuar u bashkangjit atyre prindërit besimtarë. Sigurisht, kjo gjë nuk e pakëson shpërblimin e prindërve. Dikush mund të mendojë gabimisht se edhe me banorët e Zjarrit do të veprohet në të njëjtën mënyrë, domethënë që Allahu i Lartësuar do t’i bashkojë prindërit me pasardhësit e tyre.
Por i Madhëruari na tregon se gjykimi për dy vendet nuk është i njëjtë, dhe s’ka se si të jetë i tillë, sepse Zjarri është vendi ku zbatohet drejtësia e Zotit dhe askush nuk ndëshkohet për gjynahet që nuk i ka vepruar vetë apo nuk është bërë shkak, siç thotë i Madhëruari më pas:
– “Çdokush është peng i punës së vet.” – Askush nuk do të merret në përgjegjësi për veprat e të tjerëve. Askush nuk do të pyetet për gjynahun e tjetrit. Atëherë, ky ajet hedh poshtë keqkuptimet që mund të lindin në këtë drejtim.