– “Mos është kjo ndonjë magji, apo ju nuk shihni?!” – Ka mundësi që kjo pyetje të bëhet për Zjarrin ose ndëshkimin me të cilin do të ballafaqohen, sikurse tregon edhe konteksti i ajetit. Pra, kur ata të shohin Zjarrin, në formë ironie do t’u thuhet: “A mos është magji, a mos është diçka jo reale, ashtu sikurse pretendonit në dynja, apo ishit të verbër në dynja dhe nuk e shihnit të vërtetën?” Përgjigjja, sigurisht, është negative: nuk është një magji, por një realitet i pamohueshëm. Edhe pretendimi i tyre se nuk e shihnin dhe nuk e kuptonin të vërtetën, nuk qëndron. Faktet dhe shenjat e Allahut ishin tërësisht të qarta.
Profeti ua qartësoi të vërtetën rreth Zotit dhe mesazhin e Tij. Ai i ftoi me mënyrën më të mirë për të besuar Zotin dhe gjithçka që Ai urdhëroi të besohet. Pas këtij qartësimi, askush nuk mund të justifikohet para Zotit. Por ka shumë mundësi, gjithashtu, që këtu të flitet për Shpalljen që iu dha Muhamedit (a.s.). Sipas kësaj, kuptimi është: “Vallë, është magji Shpallja që iu dha Muhamedit apo fajin e ka paaftësia juaj në të vështruarit dhe kuptuarit e gjërave?” Kjo është një pyetje retorike, së cilës i dihet përgjigjja. Shpallja që iu dha Muhamedit nuk është aspak magji, por është faji i tyre që e shpërfillin atë, edhe pse ajo është vetë e vërteta e sigurt, e argumentuar dhe e faktuar nga Zoti.