– “Ne i sprovuam ata, siç sprovuam pronarët e kopshtit …” – Këtu, Allahu i Lartësuar na tregon mënyrën se si i ka sprovuar mohuesit e së vërtetës. Ai i sprovoi ata duke u dhënë shumë të mira dhe duke i afatizuar. Ai u dhuroi pasuri, fëmijë, jetë të gjatë e shumë gjëra që përmbushnin dëshirat e tyre. Allahu i Lartësuar nuk e bëri këtë për t’i nderuar ata, por për t’i afruar dalëngadalë drejt ndëshkimit befasues.
Vetëmashtrimi i tyre me këto mirësi, të cilat i patën si sprovë, është i ngjashëm me atë çfarë u ndodhi pronarëve të kopshtit. Në fakt, flitet për disa njerëz, që ishin pronarë të përbashkët të një kopshti. Kur u poqën frutat dhe pemët ishin rënduar prej tyre, erdhi koha e vjeljes. Tashmë, pronarët ishin të sigurt se kjo pasuri ishte në duart e tyre, prandaj:
– “… u betuan se do ta vilnin atë herët në agim, por pa thënë: “Në dashtë Allahu!”” – Të ngazëllyer, ata menduan se tashmë askush nuk do të mund t’i ndalte nga marrja e atyre të mirave, prandaj u betuan se të nesërmen do të shkonin të vilnin prodhimin aq të shumë pritur. Por ata nuk thanë: “Inshâallâh”- “Në dashtë Allahu”. Ata nuk e menduan se Allahu qëndron gjithmonë në pritë dhe se ndëshkimi i Tij do të shkonte në kopsht para tyre. Thotë i Drejti dhe i Urti: