– “Po kështu, edhe ata që ishin më parë, sa herë që u shkonte ndonjë profet, thoshin: “Është magjistar ose i çmendur.”’ – Idhujtarët dhe mohuesit e Zotit gjithmonë i kanë mohuar profetët e Zotit. Ata kanë fyer dhe shpifur për Zotin dhe profetët e Tij. Ky është zakon i pandryshueshëm i tyre. Prandaj Allahu i Lartësuar e sjell këtë fakt në vëmendjen e Profetit të Tij të dashur, për ta ngushëlluar atë nga trajtimi i vrazhdë dhe jo i denjë që i bëhej nga populli i tij.
Çdo profet është fyer dhe trajtuar si magjistar ose si i çmendur. Allahu i Lartësuar bën një pyetje: Për këto fjalë që përsëriten nga të parët dhe të fundit, a mos ka ndonjë marrëveshje mes tyre, që t’i trajtojnë njëlloj profetët e Zotit?! Por nuk është çudi që ndodh diçka të tillë, sepse ata janë njerëz të prishur.