Janë të shumta shenjat dhe mrekullitë që Zoti solli me Musain (a.s.), sidomos kur e dërgoi te Faraoni dhe paria e tij. Në këtë ngjarje ka prova të shumta për ata që i frikësohen ndëshkimit të dhembshëm të Zotit, ndërsa arrogantët i shohin me mospërfillje ato. Kështu veproi Faraoni me Musain dhe mrekullitë që ai solli. Ai e konsideroi Musain si një magjistar dhe mashtrues, madje e konsideroi si të çmendur.
Sipas tij, ishin vetëm dy mundësi se si mund të shihej Musai: ose si magjistar, dhe mrekullitë e tij ishin thjesht mashtrime, ose si i çmendur, dhe gjithçka që thoshte nuk duhej marrë në konsideratë. Ai veproi në këtë mënyrë, edhe pse e dinte shumë mirë se Musai ishte i sinqertë në pretendimin e tij, sikurse thotë i Lartësuari: “Ata e mohuan padrejtësisht Musain, edhe pse ishin të sigurt në veten e tyre për vërtetësinë e tij”. Po pse e bënin këtë? Vetëm prej mendjemadhësisë së tyre.
Në një ajet tjetër tregohet se Musai (a.s.) i tha Faraonit: “Ti e di shumë mirë se këto mrekulli i solli veçse Zoti i qiejve dhe i Tokës, si prova për njerëzit”. Kështu, Faraoni dhe paria e tij e mohuan Musain dhe i shpërfillën porositë e Zotit të sjella prej tij. Për këtë arsye, Zoti e ndëshkoi në momentet kur ai ishte ende arrogant dhe mohues. Ai e ndëshkoi siç di të ndëshkojë Ngadhënjimtari i Plotfuqishëm.