– “Ne kemi lënë aty shenja për ata që ia kanë frikën dënimit të dhembshëm.” – Në ato vise ka shenja, të cilat mund të shërbejnë si mësim për ata që dinë të nxjerrin mësime, për ata që e kuptojnë se Allahu i Lartësuar e ka ndëshkimin shumë të ashpër, për ata që e kuptojnë se profetët kanë thënë të vërtetën dhe se Allahu e ka përforcuar të vërtetën e sjellë prej tyre.
Disa mësime të nxjerra nga kjo histori.
Në rrëfimet e sjella nga Allahu i Lartësuar për ndodhitë e të mirëve dhe të këqijve dhe përfundimet e tyre, ka urtësi të shumta. Kështu, në këto ajete del qartë rëndësia dhe grada e lartë e Ibrahimit (a.s.). Allahu i Lartësuar e filloi këtë histori duke folur për Ibrahimin (a.s.). Ai ishte pjesë e një ngjarjeje të madhe, prej së cilës duhet të nxjerrim shumë mësime.
– Së pari, mikpritja dhe nderimi i mikut është një virtyt i lartë. Kjo ishte tradita e të dashurit të Zotit, Ibrahimit (a.s.), për pasimin e së cilës Allahu i Lartësuar urdhëroi Muhamedin (a.s.) dhe ymetin e tij. Allahu i Lartësuar e përmendi mikpritjen e Ibrahimit (a.s.) në një kontekst lavdërimi. Miku duhet nderuar me fjalë dhe me vepra. Allahu i Lartësuar i përcaktoi miqtë e Ibrahimit si “të nderuar”. Ata ishin të nderuar nga Ibrahimi (a.s.), me mikpritjen e tij shembullore, të cilën Zoti e tregoi imtësisht. Ai tregoi në detaje se si Ibrahimi (a.s.) i nderoi miqtë e tij, me fjalë dhe me vepra. Por ata ishin të nderuar edhe nga vetë Zoti i Lartësuar.
– Shtëpia e Ibrahimit (a.s.) ishte një bujtinë e hapur për çdo udhëtar dhe mik. Për këtë arsye, ata hynë brenda pa pyetur e pa kërkuar leje, por thjesht përshëndetën me selam, për mirësjellje. Edhe Ibrahimi (a.s.) ua ktheu me një përshëndetje më të mirë, duke i thënë: “Selami qoftë gjithnjë me ju!”
– Nga ajeti kuptojmë se lejohet prezantimi me ata që të vizitojnë apo me të cilët ke krijuar njëfarë lidhjeje, sepse kjo mund të sjellë mirësi të shumta.
– Edukata e Ibrahimit (a.s.) dhe kujdesi i tij në përzgjedhjen e fjalëve më të mira ishte i madh. Ai u tha atyre: “…o njerëz të panjohur në këto anë…”, dhe nuk u tha: “Unë nuk ju njoh ju”. Sigurisht që mes dy rasteve ka ndryshim të dukshëm.
– Nga ngjarja mësojmë se duhet të nxitojmë në nderimin e mikut. Bamirësia më e çmuar është ajo që kryhet më së shpejti. Prandaj Ibrahimi (a.s.) nxitoi që t’u shtronte menjëherë tryezën mysafirëve të tij.