Select Page

– “A e ke dëgjuar ngjarjen me mysafirët e nderuar të Ibrahimit? Ata hynë tek ai dhe thanë: “Selami qoftë me ty!” Ai tha: “Selami qoftë gjithnjë me ju, o njerëz të panjohur!”” – Kuptimi:  A ke dijeni për ngjarjen e habitshme të Ibrahimit (a.s.) me dy miqtë, që e vizituan atë? Ata ishin melekë të dërguar nga Allahu i Madhëruar, për të ndëshkuar popullin e Lutit, por që, fillimisht, duhej të vizitonin profetin Ibrahim (a.s.).

Ata shkuan tek ai në formën e dy mysafirëve-njerëz. Pasi hynë në shtëpinë e tij dhe e përshëndetën me selam, ai ua ktheu duke thënë: “Selam edhe për ju, o njerëz të panjohur!” Pra, Ibrahimi (a.s.) nuk i njohu se ishin melekë. Për këtë shkak, ai nxitoi të porosiste familjen e tij që të përgatisnin një viç të majmë të pjekur. Ai u largua si pa u ndier, që t’ua bënte gati sa më shpejt ushqimin.