Select Page

– “Por ata mund të mësojnë prej saj, vetëm nëse do Allahu.” – Dëshira dhe vullneti i Zotit janë vendimtare dhe patjetër të ekzekutueshme. Ato janë gjithëpërfshirëse: prej tyre nuk shpëton asgjë, e madhe apo e vogël qoftë, e shumtë apo e pakët. Ky ajet është argument kundër kaderive, të cilët i përjashtojnë veprat e robërve  nga dëshira dhe vullneti i Zotit. Por ky ajet është argument edhe kundër xhebrive, të cilët pretendojnë se robi nuk ka asnjë pushtet dhe nuk i është dhënë liri veprimi dhe zgjedhjeje.

Këta besojnë se njeriu është i detyruar që t’i kryejë veprat e tij dhe i pafuqishëm që ta zgjedhë vetë atë që vepron. Kështu, në këtë ajet dhe në të tjerë si ai, i Lartësuari na tregon se robi ka liri zgjedhjeje dhe dëshire, po ashtu edhe aftësi e fuqi për të bërë atë që e zgjedh vetë, me dëshirën e tij. Por kjo është sigurisht brenda vullnetit dhe dëshirës së Zotit të Urtë, të Drejtë, të Gjithëditur dhe të Mëshirshëm.

– “Vetëm Ai e meriton që t’i ruhesh dhe që të jetë Falës i gjynaheve!” – Allahu i Madhëruar është i Vetmi që meriton të adhurohet dhe të Cilit duhet t’i frikësohesh më shumë se çdo gjë tjetër. Është Ai ndaj të Cilit duhet të tregohesh i devotshëm. Allahu është, gjithashtu, Falësi i madh, që e fal dhe mëshiron atë që i frikësohet Atij, duke zbatuar urdhrat e duke lënë haramet, për hir të kënaqësisë së Tij. Këtu përfundon edhe tefsiri i sures Muddeththir.