– “Ti (do t’i thuhet njeriut) ke qenë i papërgatitur për këtë Ditë. …” – Kështu i thuhet Ditën e Kijametit çdo mohuesi që i kthen shpinën udhëzimit të Zotit. Këto janë fjalë të ashpra dhe poshtëruese. Pra: “Ti ishe ai që mohove këtë të vërtetë dhe nuk u përgatite për të.”
– “… Ne tani po ta heqim perden …” – Tani po ta heqim perden e zemrës dhe të syve, që ta shohësh dhe ta vuash atë që e ke mohuar dhe shpërfillur. Për shkak të perdes së mohimit, që të mbuloi zemrën, gjumi yt qe i thellë dhe shpërfillja e së vërtetës u bë e vazhdueshme. Kështu që, erdhi koha që tani ta përjetosh gjithçka realisht.
– “… dhe shikimi yt sot është shumë i qartë.” – Kuptimi: Sot do të shohësh tmerrin dhe ndëshkimin që të pret. Ky ajet mund të merret edhe si këshillë, që Allahu i Lartësuar i drejton robit në këtë dynja, që ai të udhëzohet. Robi në dynja është shpërfillës i kësaj të vërtete dhe do të përmendet vetëm kur të vijë Dita e Premtuar. Por ajo ditë është koha kur asgjë nuk të bën më dobi dhe kur nuk mund të arrish më gjërat që i ke lënë të ikin.
Për këtë arsye, le të nxitojnë të mençurit për të bërë punë të mira, duke zbatuar udhëzimet e Zotit të tyre të dashur dhe të mëshirshëm, para se të vijë dita kur nuk bën më dobi asgjë. Ky është një paralajmërim i hapur, që njeriu të marrë masat për t’i shpëtuar ndëshkimit të përgatitur për jobesimtarët dhe shpërfillësit e udhëzimeve të Zotit.