– “Madje, njeriu do të jetë dëshmitar i vetvetes, edhe nëse paraqet arsyetime.” – Ai mund ta gjykojë veten e vet, edhe nëse mund të hedhë justifikime, të cilat janë të papranueshme dhe të pavlefshme. Vetë robi do të pranojë çdo punë që ka bërë dhe do të dëshmojë për vërtetësinë e saj, sikurse thotë i Madhëruari në një ajet tjetër: “Lexo librin tënd, sot mjafton të jesh vetë llogaritës i vetvetes”. [Isra 14].
Edhe nëse ai kërkon të mohojë ose të justifikohet për atë që ka bërë, kjo do të jetë e pavlefshme, sepse do të jenë vetë dëgjimi, shikimi dhe të gjitha gjymtyrët e tij që do të dëshmojnë se ç’ka bërë. Mundësia për të rregulluar diçka tashmë ka përfunduar dhe çdo përpjekje është e padobishme, siç thuhet në këtë ajet: “Kështu atë ditë atyre që bënë padrejtësi, asnjë pendesë nuk u bën dobi e as që kërkohet të arsyetohen.” [Rum 57].