Select Page

– “O njerëz! Adhurojeni Zotin tuaj …” – Ky është një urdhër gjithëpërfshirës, që u drejtohet të gjithë njerëzve, për një çështje që, në kuptimin e saj, është po ashtu gjithëpërfshirëse. Kjo çështje, për të cilën urdhërohen të gjithë njerëzit është adhurimi (ose ibadeti). Ky term përfshin tri aspekte kryesore, që janë:

1. Zbatimi rigoroz i urdhrave të Allahut të Lartësuar.

2. Largimi nga të gjitha ndalesat e Tij.

3. Pranimi, pohimi dhe besimi i plotë dhe pa mëdyshje te çdo lajm e kumt i ardhur prej Allahut të Lartësuar. Allahu Krenar e i Lartësuar i urdhëron njerëzit t’i përkushtohen asaj çështjeje, për hir të së cilës Ai i krijoi.

Allahu i Madhëruar thotë në suren Dhariat, ajeti 56: “Unë i krijova xhindët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë”. Më poshtë, Allahu i Madhëruar shpjegon përse Ai duhet adhuruar si Një i vetëm, duke u kujtuar dhe u qartësuar njerëzve se vetëm Ai është Zoti i tyre, i Cili kujdeset për ta, duke u mundësuar mirësi të pafundme.

– “… i Cili ju krijoi ju dhe ata që ishin para jush!” – Pra, Ai ju krijoi ju dhe të parët tuaj, kur nuk ekzistonit fare; Ai ju solli në ekzistencë. Por cili është qëllimi i këtij adhurimi? I Madhëruari thotë:

– “… që të bëheni të devotshëm …” – Kjo frazë mund të kuptohet në dy mënyra:

1. Nëse ju ia kushtoni adhurimet tuaja veç Allahut, të Vetmit dhe Absolutit, ju do të jeni të ruajtur dhe të sigurt nga zemërimi dhe ndëshkimi i Tij, sepse keni vepruar pikërisht atë gjë që e largon nga ju zemërimin dhe ndëshkimin e Tij.

2. Nëse ju ia kushtoni adhurimet tuaja vetëm Allahut të Lartësuar e të Pashoq, ju jeni bërë të devotshëm e, sigurisht, ndër të shpëtuarit. Të dyja kuptimet janë të sakta dhe, në fund të fundit, rrjedhin nga njëra-tjetra, sepse kush bën adhurim të pastër dhe të plotë veç për Allahun, është edhe i devotshëm, dhe kush është i devotshëm, sigurisht që ka shpëtuar prej zemërimit dhe ndëshkimit të Allahut të Lartësuar. Më tej, i Madhëruari vazhdon  të na tregojë mirësitë e Tij: