– “Edhe ata që dëshminë e vet nuk e fshehin.” – Ata dëshmojnë veçse për atë gjë rreth të cilës kanë dije të plotë dhe të sigurt. Ata nuk shtojnë dhe as pakësojnë më shumë se kaq në dëshmitë që sjellin. Ata, gjithashtu, nuk e fshehin kurrë dëshminë e tyre, për asnjë arsye në këtë botë. Ata dëshmojnë me drejtësi, edhe nëse është kundër të dashurve, të afërmve dhe miqve të tyre në dynja, sepse qëllimi kryesor i tyre është kënaqësia e Allahut të Lartësuar.
E si mund të veprojnë dhe të mendojnë ndryshe, kur i Madhëruari thotë: “Dëshmoni me drejtësi, për hir të Allahut!” Ose: “O ju që keni besuar, të jeni përherë dëshmues të së drejtës për hir të Allahut, edhe nëse kjo është kundër vetes suaj, kundër prindërve ose kundër të afërmve tuaj…” [Nisa, 135].