Pasi përmendi shpërblimin e banorëve të dy vendeve, bashkë me veprat e tyre, me të cilat e merituan atë shpërblim, Allahu i Lartësuar na njofton rreth diturisë së Tij të gjerë. Ai na tregon se i di në detaje edhe fshehtësitë më të mëdha të qiejve dhe të Tokës, që krijesat as nuk i shohin e as nuk i dinë. Ai është i Gjithëdituri për të gjitha fshehtësitë dhe Ai e di mirë atë që fshihet brenda gjoksit, ligësi ose mirësi qoftë. Ai di për çdo gjë që kalon nëpër mendjen dhe shpirtin e njeriut. Ai do t’i japë çdokujt atë që meriton.