– ”Në xhenetet e Adnit do të hyjnë ata e do të stolisen me byzylykë ari e margaritari dhe veshjet e tyre do të jenë prej mëndafshi.” – Janë kopshte me pemë të shumta e të gërshetuara, që mbulojnë çdo hapësirë me hije të gjera dhe u japin hijeshi dhe gjelbërim të përhershëm. Atje ka edhe lumenj, që rrjedhin me ujë të bollshëm, mbi të cilët ngrihen kështjella e ndërtesa të larta të zbukuruara. Atje do të jenë përjetësisht. Ato janë kopshtet e Adnit. Adn do të thotë vendqëndrim i përhershëm, domethënë ato janë kopshtet e vendqëndrimit të përhershëm, sepse janë të përjetshme, ashtu si dhe banorët në to.
Pastaj Allahu i Lartësuar thotë: “…e do të stolisen me byzylykë ari e margaritari dhe veshjet e tyre do të jenë prej mëndafshi.” Ata do të kënaqen me këto stoli të arta, të cilat do t’i duken më të bukurat nga të gjitha stolitë e të tjerëve. Në Xhenet, si burrat, edhe gratë i kanë të lejuara stolitë e arta. Stoli të tjera janë edhe el-lu’lua, domethënë, smeraldet dhe diamantet, që u vendosen në rroba dhe trup. Veshjet e tyre në Xhenet do të jenë prej mëndafshi të hollë e të trashë, në ngjyrë të gjelbër. Kur mirësitë dhe kënaqësitë e tyre përmbushen, ata do të thonë: