– “Atyre u jepet të pinë pije nga enë të vulosura, pije të cilave në fund u vjen era misk.” – Ajo është nga më e mira dhe më e shijshmja pije që mund të ekzistojë. Fundi i saj vjen era misk. Pra, ajo pjesë e pijes që në dynja zakonisht hidhet poshtë apo lihet në fund të enës, në Xhenet është aq e mirë, sa i vjen era misk. Atëherë çfarë mund të mendosh për vetë pijen?! Ajo pije ruhet në enë të vulosura, që të mbetet vazhdimisht e mirë dhe e shijshme.
– “Për të tilla mirësi le të garojnë ata që lakmojnë të mirën.” – Ato do të jenë mirësi të përjetshme dhe të pandërprera. Masën dhe bukurinë e tyre nuk e di veçse Ai që i krijoi. Për to garojnë ata që synojnë dhe kanë për qëllim të mirën. Ata garojnë në vepra të mira, që Zoti i ka bërë sebep dhe rrugë për arritjen e këtyre të mirave. Kjo është çështja më e rëndësishme, për hir të së cilës ia vlen të shpenzosh çdo gjë të vyer. Për të tilla mirësi garuan më të mëdhenjtë dhe të zgjedhurit e Zotit.