– “Jo, nuk janë të njëjtë. Me të vërtetë, libri i vepërmirëve gjendet në Il-lijjin. E ku e di ti se çfarë është Il-lijjun-i? Ai është një libër i qëndisur, të cilin e dëshmojnë më të afruarit (e Zotit).” – Pasi tregoi se libri Sixhxhin është në vendin më të ngushtë dhe më të thellë të Zjarrit, Allahu i Madhëruar thotë se libri i vepërmirëve është në Il-lijjin, në vendin më të lartë dhe më të gjerë në Xhenet. Këtë libër e shohin dhe dëshmojnë më të afërmit e Zotit, të cilët janë melekë, shpirtrat e profetëve, të të sinqertëve dhe të dëshmorëve në rrugën e Zotit. Këta të mirë Allahu i Madhëruar i veçon në mbretërinë e qiellit. Ilijjun është edhe një nga emrat e Xhenetit më të lartë.