Select Page

– “Ata luhaten në mëdyshje: nuk janë as me këta, as me ata …” – Ata luhaten sa nga ana e besimtarëve, sa nga ana e qafirëve. Me shpirt e trup njëkohësiht, ata nuk janë as me qafirët, as me besimtarët. Ata janë me trup dhe nga ana e dukshme me besimtarët, por nga ana e brendshme shpirtërore janë me qafirët. Ky është devijimi më i madh, prandaj i Lartësuari thotë:

“Për ata që Allahu i shpie në humbje, ti nuk do të mund të gjesh (rrugë për) shpëtim.” – Pra, nuk do të gjesh asnjë mundësi për ta udhëzuar në rrugën e drejtë dhe për ta shpëtuar nga humbja, sepse për të është mbyllur porta e mëshirës dhe është hapur dera e ndëshkimit.  Rrjedhimisht, kuptohet se besimtarët nuk i kanë këto cilësi të ulëta, por kanë të kundërtat e tyre. Ata i karakterizon vërtetësia në fjalë dhe në punë.

Ata, gjithashtu, janë plot energji dhe aktivë në kryerjen e adhurimeve, sidomos të namazit. Ata e kujtojnë shumë Allahun e Madhërishëm. Ata janë të udhëzuar nga Allahu i Lartësuar në rrugën e drejtë dhe të vazhdueshëm në të. Le të krahasojë secili veten e vet me të dyja këto grupe dhe le të gjykojë se cilëve iu përket. Allahu është i vetmi Ndihmëtar dhe Udhëzues!