– “Ata (hipokritët) presin se çfarë do të bëhet me ju.” – Munafikët shohin me vëmendje ecurinë e ngjarjeve dhe perspektivën që i pret besimtarët, për të përgatitur përgjigjen, si munafikë që janë, për çdo rast, për mirë apo për keq.
– “Nëse, me ndihmën e Allahut, ju ngadhënjeni, ata thonë: “A nuk ishim edhe ne me ju?”” – Kur ndihma vjen për besimtarët, atëherë munafikët shfaqen sikur janë me ta, që të ruhen nga qortimet dhe marrja në përgjegjësi, si edhe për të marrë pjesë në plaçkën e luftës. Gjithashtu, ata shtiren si miq, që të përfitojnë nga aleanca me muslimanët nëse kanë nevojë.
– “E nëse jobesimtarët arrijnë ndonjë fitore …” – Këtu Allahu i Lartësuar nuk thotë siç tha për besimtarët “ndihmë nga Allahu”, por thotë: “ndonjë fitore”, domethënë fitore të përkohshme. Kjo sepse, edhe nëse Zoti, me urtësinë e Tij, u mundëson qafirëve ndonjë fitore, kjo nuk mund të jetë e vazhdueshme për ta, sikurse ndodh me besimtarët, por e përkohshme dhe e paqëndrueshme. Kur ndodh kjo, munafikët u thonë qafirëve:
– “… hipokritët u thonë atyre: “A nuk ju ndihmuam në fitoren tuaj dhe a nuk ju mbrojtëm prej besimtarëve?”” – Pra, a nuk ju kemi mbështetur dhe ndihmuar me të gjitha mënyrat e mundshme kundër besimtarëve, duke ndërmjetësuar tek ata për ju, madje edhe duke i penguar ata që t’ju luftojnë.
– “Por Allahu do t’ju gjykojë në Ditën e Gjykimit.” – Ai do t’i shpërblejë besimtarët me Xhenet, ndërsa munafikët, qafirët dhe idhujtarët do t’i ndëshkojë me Xhehenem.
– “Allahu nuk do t’u japë kurrë jobesimtarëve epërsi të plotë mbi besimtarët.” – Ata kurrë nuk mund t’i nënshtrojnë besimtarët tërësisht dhe përfundimisht. Gjithmonë do të jetë një grup besimtarësh që do të shfaqin të vërtetën dhe të cilët do të jenë të ndihmuar nga Allahu i Lartësuar. Ata nuk mund të dëmtohen as nga munafikët e pabesë dhe as nga ata që e kundërshtojnë rrugën e tyre. Allahu i Madhërishëm gjithmonë hap mundësi të reja për të ndihmuar besimtarët dhe për të poshtëruar qafirët. Madje, ka shumë besimtarë në shtete qafirësh, që jetojnë me krenari dhe aspak të poshtëruar. Kjo është një mirësi dhe përkujdesje e madhe nga i Gjithmëshirshmi për robërit e Tij të bindur. Falënderimi i qoftë Allahut të Lartësuar për të gjitha mirësitë e Tij!