– “… në të vërtetë, pikërisht ata janë shkatërruesit, por nuk e ndiejnë” – Sigurisht që nuk ka shkatërrim më të madh se ai që shkakton e përhap mohimi i Zotit dhe i argumenteve të Tij. A ka shkatërrues më të madh se ai që pengon njerëzit nga rruga e Allahut dhe që përpiqet të mashtrojë Allahun dhe të zgjedhurit e Tij?! Shkatërrues janë të gjithë ata që miqësohen me këdo që i ka shpallur luftë Allahut dhe Profetit të Tij, të cilët, si pa të keq, pretendojnë paturpësisht se ky quhet rregullim. Po a ka shkatërrim më të madh se ky?!
Në fakt, ata nuk mund ta ndiejnë dhe kuptojnë këtë, sepse nuk e kanë dijen e nevojshme, që do t`u mundësonte ta kuptonin. Dija (rreth besimit dhe fesë) që ata kanë u vlen thjesht dhe vetëm për një gjë: që të mos kenë asnjë justifikim para Allahut Ditën e Gjykimit. Atyre u janë përcjellë njohuri të mjaftueshme për të hedhur poshtë çdo argumentim dhe justifikim të tyre para Allahut. Veprimi i poshtërsive është konsideruar si shkatërrim, sepse është ai që e shkakton prishjen e të gjitha të mirave në tokë: bimësisë, farërave, frutave, pemëve etj. Shkak i çdo shkatërrimi janë veprat e ulëta (dhe kalimi i kufijve të Zotit).
Ndërsa rregullimi i tokës nënkupton që ajo të mbushet me mirësi dhe të lulëzojë, si pasojë e bindjes ndaj Allahut dhe e besimit tek Ai. Allahu i Madhëruar i krijoi krijesat veçse për këtë qëllim dhe, pikërisht për këtë arsye, i vendosi në tokë. Ai i krijoi ata dhe u dhuron furnizim dhe të mira të shumta, me qëllim që t`i ndihmojë në bindjen dhe adhurimin kushtuar Atij. Por nëse krijesat veprojnë të kundërtën, atëherë ky është shkatërrim, pasi e nxjerr tokën nga natyra e saj, në të cilën ajo është krijuar.