– “A nuk e ngritëm lart emrin tënd?” – Kuptimi: Ne e lartësuam gradën dhe famën tënde. Ti do të lëvdohesh dhe përkujtohesh gjithmonë me mirësi ndër njerëz në botë. Asnjë krijesë tjetër nuk do të gëzojë famën dhe lavdinë tënde. Sa herë që do të kujtohet Allahu i Madhëruar, së bashku me të do të kujtohet edhe Profeti dhe adhuruesi i Tij i sinqertë, Muhamedi (a.s.). Kur pranon Islamin, njeriu shpreh shehadetin, kur thirret ezani dhe ikameti, përmendet shehadeti, nëpër hytbe përmendet shehadeti, e shumë e shumë raste të tjera. Domethënë, sa herë dëshmohet që Allahu është i vetmi i Adhuruar me meritë, dëshmohet gjithashtu se Muhamedi është Profeti dhe adhuruesi i sinqertë i Allahut. Dashuria e umetit për Profetin është një dashuri që askush nuk e ka për udhëheqësin e vet. Allahu e shpërbleftë, e nderoftë dhe e shtoftë lavdinë e Muhamedit (a.s.)!