Select Page

– “Ju nuk do mund të mbani drejtësi të plotë mes grave, edhe nëse përpiqeni.” – Allahu i Lartësuar na tregon se është jashtë mundësive të burrit që të mbajë drejtësi të plotë mes grave (kur është i martuar me më shumë se një grua), në aspektin e dashurisë që duhet të ndiejë për to, dhe, rrjedhimisht edhe në mënyrën e sjelljes me to.

Është e pamundur që burri ta arrijë këtë drejtësi të plotë, por Allahu i Lartësuar i fal gabimet që janë jashtë mundësive të njeriut për t’i përballuar. Sidoqoftë, Allahu i Lartësuar na ndalon nga padrejtësia, nëse kjo është brenda mundësive tona. Ai thotë:

“… Por mos anoni tërësisht nga njëra, e ta lini tjetrën pezull.” – Mos anoni tërësisht nga njëra duke mos i dhënë hakun që i takon tjetrës. Bëni gjithçka që është brenda mundësive tuaja, për të mbajtur drejtësinë mes tyre. Shpenzimet jetësore për ushqim e veshmbathje, strehimi dhe numri i ditëve të qëndrimit me bashkëshortet janë të drejta që duhet të ndahen në mënyrë të barabartë mes tyre.

Ndërsa për sa u përket ndjenjave, preferencave, dashurisë apo marrëdhënieve intime me to, në të tilla çështje nuk mund të pretendohet se mund të mbahet drejtësia. Megjithatë, një grua nuk duhet lënë mënjanë, tërësisht si e varur: as me burrë, që të plotësojë nevojat e saj, e as pa burrë, që të mund të martohet me dikë tjetër.

– “Nëse ju i përmirësoni marrëdhëniet dhe ruheni nga padrejtësitë, pa dyshim, Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë.” – Për të na falur dhe mëshiruar, Allahu i Lartësuar na jep dy porosi:

1. Përmirësoni marrëdhëniet me gratë dhe mbani drejtësi, duke shpresuar shpërblimin e Zotit. Përmbushni detyrimet ndaj tyre, përmirësoni lidhjet me të tjerët, pajtoni njerëzit që ndodhen në konflikte, duke përdorur çdo mënyrë të lejuar.

2. Pajisuni me devotshmëri, duke kryer urdhëresat, duke iu larguar harameve dhe duke bërë durim ndaj caktimit të Zotit. Nëse i zbatoni këto porosi, do ta gjeni Allahun e Lartësuar Falës e Mëshirues. Ai do t’ju falë për gjynahet tuaja dhe për mangësitë në kryerjen e detyrimeve. Ai do t’ju mëshirojë, ashtu sikurse ju tregoheni tolerues ndaj grave tuaja.