Select Page

– “Kushdo që bën keq, do të ndëshkohet me të dhe përveç Allahut, nuk ka për t’i gjetur vetes as mbrojtës e as ndihmëtar.” – Ajeti është gjithëpërfshirës. Ai nuk përjashton as vepruesin e të keqes, as  vetë të keqen. Çdokush që bën një të keqe, do të shpërblehet sipas saj. Gjithashtu, çdo e keqe, e madhe apo e vogël qoftë, e ka të përcaktuar dënimin e saj, i madh apo i vogël qoftë ai. Ky dënim mund të jepet në dynja dhe në ahiret. Në varësi të gjynaheve që bëjnë dhe të ndëshkimeve që meritojnë, njerëzit janë të gradave të ndryshme.

Vetëm Allahu i Madhëruar e di se çfarë meritojnë ata. Ata që bëjnë vetëm të këqija, – dhe të tillë janë qafirët, – nëse vdesin pa u penduar, do të ndëshkohen përjetësisht. Ndërsa atyre që bëjnë vepra të mira në përgjithësi, edhe pse ndonjëherë bëjnë ndonjë gjynah të vogël, Allahu i Lartësuar u mundëson me mënyra të ndryshme që t’u fshihen dhe t’u falen këto gjynahe. Të tilla janë trishtimet, ankthet, vuajtjet, dhimbjet në trup dhe shpirt, fatkeqësitë mbi të afërmit dhe pasurinë e të tjera. Të gjitha këto janë mënyra për fshirje gjynahesh dhe shpagim për punët e këqija.

Pa dyshim, ky është tregues i qartë i mëshirës dhe bamirësisë së Allahut të Lartësuar ndaj adhuruesve të Tij. Duhet të themi se nga ky gjykim përjashtohen të penduarit, sepse ata janë njëlloj sikur nuk kanë bërë fare gjynah, sikurse dëshmojnë tekste të shumta fetare. Ndokush mund të mendojë se ka mundësi shpëtimi nga ndëshkimi i merituar, nëpërmjet ndërmjetësuesve dhe miqve, por Allahu i Lartësuar e mohon një mundësi të tillë. Ai thotë: “…përveç Allahut, nuk ka për t’i gjetur vetes as mbrojtës e as ndihmëtar.”. Pra, askush nuk do të mund të përfitojë nga ndonjë mik dhe askush nuk do ta ndihmojë që t’i shpëtojë dënimit që e ka frikë. I vetmi shpëtimtar dhe ndihmëtar është Zoti dhe Sunduesi i Ditës së Gjykimit. Pastaj i Lartësuari thotë:

– “Kush bën vepra të mira, qoftë mashkull ose femër, duke qenë besimtar, do të hyjë në Xhenet dhe nuk do t’i bëhet asnjë padrejtësi.” – Këtu bëhet fjalë për të gjitha llojet e të mirave, qofshin ato që bëhen me zemër, qofshin ato me gjymtyrë. Këtu bëhet fjalë edhe për çdonjë që bën vepra të mira, qoftë njeri apo xhin, i vogël apo i madh, mashkull apo femër. Por Allahu i Lartësuar ka përmendur një kusht për pranimin e këtyre punëve: ai është besimi. Pra, asnjë vepër nuk konsiderohet e mirë, nuk pranohet, nuk ka shpërblim dhe nuk të largon nga ndëshkimi nëse nuk nxitet dhe nuk buron nga besimi.

Punët pa besim janë si degët e një peme, së cilës i është prerë trungu, apo si një ndërtesë pa themele. Imani është themeli, trungu, baza mbi të cilën ndërtohet çdo gjë. Me fjalë të tjera, çdo vepër e mirë, për të cilën është përmendur shpërblim në Kur’ân, ka si kusht imanin, edhe nëse mund të mos jetë thënë shprehimisht në çdo rast. Allahu i Lartësuar thotë: “…do të hyjë në Xhenet dhe nuk do t’i bëhet asnjë padrejtësi”. Ata që kanë besimin dhe veprat e mira do të hyjnë në Xhenet, ku do të kënaqen me gjithçka që ua dëshiron shpirti. Atyre nuk do t’u bëhet asnjë lloj padrejtësie, as e madhe e as e vogël, nuk do t’u mohohet asnjë punë e mirë që kanë kryer, sado e vogël qoftë ajo. Përkundrazi, shpërblimi do të jetë i shumëfishuar nga bujaria dhe mëshira e Allahut të Lartësuar.