– “Shejtani u premton atyre dhe i bën të shpresojnë (kotësira).” – Shejtani i mallkuar i përdor të dyja mënyrat me ata që kërkon të devijojë: edhe premtimin, edhe frikësimin. Ai i bën të shpresojnë te premtimet e tij mashtruese, por edhe i tremb me varfëri, sikurse thotë Allahu i Lartësuar: “Shejtani ju frikëson me varfëri dhe ju urdhëron për të këqija, ndërsa Allahu ju garanton falje e begati. Allahu është Bujar i madh e i Gjithëditur.”. [Bekare 268].
Për t’i penguar ata nga shpenzimi në rrugën e Zotit, i tremb me varfëri, për t’i penguar nga xhihadi në rrugën e Zotit, i tremb me tortura, vuajtje dhe vrasje, sikurse thuhet në ajet: “Ishte Shejtani që deshte t’ju frikësonte me miqtë e vet. Por ju mos u frikësoni prej tyre, por frikësohuni prej Meje, nëse jeni besimtarë!” [Al Imran 175].
Kur njerëzit kërkojnë t’i japin përparësi kënaqësisë së Allahut, Shejtani i mallkuar i tremb me çdo mënyrë, për t’i penguar. Me kurthet dhe intrigat e tij, ai i frikëson ata, i dembelos dhe ua pret krahët, që të mos kryejnë vepra të mira. Nga ana tjetër, ai iu ushqen ëndrra boshe, të cilat, nëse njerëzit i peshojnë me kujdes e qetësi, do të kuptojnë se janë thjesht iluzione. Më pas, Allahu i Lartësuar e përforcon këtë fakt, duke thënë:
– “Por shejtani premton veçse mashtrim.” – Premtim i vërtetë është vetëm ai i Allahut të Lartësuar dhe vetëm kërcënimeve të Tij duhet t’u frikësohesh. Më poshtë, Allahu i Lartësuar tregon shpagimin për këdo që miqësohet me Shejtanin dhe që i nënshtrohet atij: