Select Page

– “Ata (idhujtarët) lusin vetëm idhuj femërorë, dhe i drejtohen vetëm Shejtanit plot sherr.” – Idhujtarët u luteshin idhujve të sajuar dhe të emërtuar nga të parët e tyre me emra femrash, si Uzaja apo Menata. Duke qenë se emrat e tyre ishin të gjinisë femërore, kjo tregonte edhe mangësinë e vetë të emërtuarave me to. Ato ishin idhuj të kotë, pa asnjë cilësi përsosmërie, sikurse i përshkruan Allahu i Lartësuar në shumë ajete kur’ânore.

Ai na tregon se ato nuk mund të krijonin, nuk mund të furnizonin dhe nuk mund t’i mbrojnë adhuruesit e tyre, madje as veten e tyre. Ato nuk kishin në dorë as të bënin mirë e as keq dhe nuk mund të ndihmonin as vetveten për të shpëtuar nga ndonjë e keqe. Allahu i Lartësuar na tregon se idhujt as nuk dëgjojnë, as nuk shikojnë dhe as nuk mendojnë a ndiejnë.

Atëherë, si mund të adhurohet diçka që ka cilësi të tilla dhe të lihet mënjanë përkushtimi me sinqeritet ndaj Allahut, të Cilit i takojnë emrat më të bukur, cilësitë më të larta, lavdia e plotë, madhështia, lartësia, fuqia, bukuria, mëshira, mirësia dhe bujaria e plotë?! Ai është i Vetmi, që nuk ka të dytë, në dorën e të Cilit është pushteti për të krijuar dhe për t’u kujdesur e administruar çështjet e krijesave të Tij. Vetëm Ai ka të drejtën që, me urtësinë e Tij të madhe, të sundojë dhe të përcaktojë çdo çështje dhe ligj.

Domethënë, një këmbim i tillë është vepra më e shëmtuar, që tregon për mangësinë e atyre që e kryejnë, për nivelin e ulët ku kanë rënë, nivel që nuk mund të përshkruhet dhe përfytyrohet. Në fakt, adhurimi i idhujve është thjesht në dukje, sepse në të vërtetë ata adhurojnë veçse Shejtanin e mallkuar, armikun e tyre, i cili synon t’i shkatërrojë me çdo mënyrë të mundshme. Shejtani është krijesa më e largët nga mëshira e Allahut, sepse është Ai që e ka dëbuar dhe larguar nga mëshira e Vet.