Select Page

– “Kush bën gjynah, ka ngarkuar veç vetveten!” – Kjo përfshin çdo lloj vepre që të ngarkon me gjynah, e madhe apo e vogël qoftë. Pra, kushdo që bën ndonjë të keqe, ta dijë se pasojat e saj në dynja dhe në ahiret do të rëndojnë veçse mbi atë vetë, që e bëri të keqen, e mbi asnjë tjetër. Kështu thotë Allahu i Madhërishëm në një ajet tjetër: “Thuaj: “A të kërkoj tjetër zot veç Allahut, kur Ai është Zoti i gjithçkaje?! Secilit i rëndon e keqja e vet dhe askush nuk do ta mbartë barrën e tjetrit. Kthimi juaj është te Zoti juaj. Ai do t’jua tregojë të vërtetën e asaj për të cilën kundërshtoheshit.” [En’am 164].

Por çfarë ndodh nëse gjynahet shtohen dhe askush nuk urdhëron për të mirë dhe nuk ndalon nga e keqja? Në të tilla raste, ndëshkimi është gjithëpërfshirës; ai rëndon mbi të gjithë njerëzit. Kur njerëzit nuk urdhërojnë për të mira dhe nuk ndalojnë nga e keqja, edhe kjo është një e keqe në vetvete, prandaj meriton ndëshkimin. Pra, ajeti i mësipërm e përfshin edhe këtë rast. Ky ajet tregon qartë drejtësinë dhe urtësinë e Allahut të Madhërishëm, i Cili nuk ndëshkon asnjë për faj të dikujt tjetër dhe nuk ndëshkon asnjë më shumë sesa e meriton për gjynahet që ka bërë. Prandaj Allahu i Lartësuar e mbyll ajetin duke thënë:

“Allahu është i Gjithëditur e i Urtë.” – Allahut i takon dija absolute dhe urtësia e plotë. Ai e di shumë mirë se çfarë gjynahesh bën robi dhe gjithçka tjetër. Ai i di edhe shkaqet që e kanë shtyrë dikë për të bërë një gjynah, ashtu siç di edhe ndëshkimin që është përcaktuar për atë gjynah. Ai e di shumë mirë gjendjen e gjynahqarit, prandaj, nëse ai e ka kryer gabimin i mposhtur nga vetvetja, e cila e urdhëron për keq, por që është kthyer tek Allahu i Madhërishëm me pendim, i nënshtruar dhe i bindur, Ai pa dyshim që do ta falë, do t’ia mbulojë të metat dhe do t’ia pranojë pendimin. Por nëse ai vazhdimisht bën gjynahe, duke shpërfillur mbikëqyrjen e Allahut e duke mos marrë në konsideratë ndëshkimin e Tij, atëherë ai është shumë larg faljes dhe vështirë se i jepet sukses për t’u penduar. Pastaj Allahu i Lartësuar thotë: