– “Ata fshihen prej (shikimit të) njerëzve e nuk ruhen prej (shikimit të) Allahut, dhe Ai është afër tyre kur thurin plane me të cilat Ai nuk është i kënaqur.” – Kjo vjen nga dobësia e imanit të tyre. Pra, duke qenë se kanë besim të dobët, ata kanë më shumë frikë nga njerëzit sesa nga Allahu i Madhërishëm, prandaj përpiqen me çdo mënyrë, e lejuar apo e palejuar qoftë, që t’i shpëtojnë demaskimit para njerëzve, për padrejtësitë e tyre të dënueshme. Ndërkohë, ata harrojnë që Allahu i Madhërishëm i ka parë dhe i ka dëshmuar padrejtësitë e tyre të mëdha.
Allahu i Gjithëditur dhe i Plotpushtetshëm është gjithmonë pranë tyre me dijen e Tij, në çdo gjendje, sidomos kur ata thonë fjalë e thurin kurthe të cilat i Gjithëmëshirshmi nuk i do. Ata bënin plane si të nxirrnin të pafajshëm kriminelin dhe si të fajësonin një të pafajshëm, dhe për këtë qëllim argumentonin para Profetit (a.s.). Kështu ata bënin disa padrejtësi, pa e përfillur mbikëqyrjen e Zotit të qiejve dhe të tokës, i Cili e dinte dhe e shihte se çfarë fshihnin brenda shpirtrave. Prandaj i Madhëruari i kërcënoi ata, duke u përmendur këtë fakt:
– “Allahu i përfshin të gjitha veprimet e tyre.” – Allahu i Lartësuar përfshin gjithçka me dijen dhe pushtetin e Tij. Megjithatë, Ai nuk nxitohet për t’i ndëshkuar të padrejtët. Ai i afatizon dhe vazhdimisht i fton për t’u penduar dhe për të mos vazhduar me gjynahet e tyre. Ai u tërheq vazhdimisht vëretjen, sepse ndëshkimi i Tij është i drejtë dhe i rreptë.