Select Page

– “Ne të kemi zbritur ty (o Muhamed) Librin (Kur’anin) me të vërtetën, që të gjykosh mes njerëzve me atë që të mësoi Allahu.” – Allahu i Lartësuar tregon se ia shpalli Kur’ânin robit të Tij, Muhamedit (a.s.), me vërtetësi, të ruajtur dhe të sigurt nga ndikimi i Shejtanit të mallkuar, si edhe të ruajtur nga devijimet dhe shtrembërimet. Ai është një libër i vërtetë, ashtu si ka dashur Zoti i Lartësuar. Kumtet e tij janë të vërteta, ndërsa urdhrat dhe ndalesat e përcaktuara në të janë të drejta. Thotë i Lartësuari në një ajet tjetër: “Fjalët e Zotit janë të plota në vërtetësinë dhe drejtësinë e tyre.”Allahu i Lartësuar na tregon se e shpalli Kur’ânin që njerëzit të gjykojnë me të.

Në një ajet tjetër, Ai thotë: “Ne edhe para teje nuk dërguam veçse burra, të cilëve u dhamë Shpallje. Pyesni, pra dijetarët nëse nuk dini! (I patëm dërguar ata) me Argumente e me libra të shenjtë. Ndërsa ty ta shpallëm Kur’anin që t’u shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur atyre, që ata të mendojnë (në këtë shpallje).” [Nahl 43, 44]. Ka mundësi që ky ajet t’i referohet gjykimit të atyre çështjeve për të cilat njerëzit kanë mosmarrëveshje, ndërsa ajeti i sures Nisa, të cilin po komentojmë, t’i referohet sqarimit të çështjeve fetare në tërësi, kryesore qofshin apo degëzime të saj.

Megjithatë, ka mundësi që të dy ajetet të kenë të njëjtin kuptim: të pohojnë se Kur’âni është shpallur për t’u dhënë gjykim të drejtë të gjitha çështjeve, pa përjashtim. Allahu i Lartësuar e dërgoi Profetin (a.s)për të gjykuar me drejtësi mes njerëzve, për çdo lloj çështjeje. Allahu i Lartësuar ka thënë diçka në këtë ajet, që na jep të kuptojmë shumë. Ai thotë: “…të gjykosh mes njerëzve me atë që të mësoi Allahu”. Pra, jo sipas dëshirës së Profetit a.s, por duke u bazuar në dijen që i mësoi Zoti. Kjo do të thotë që Profeti (a.s)gjykonte vetëm i bazuar në dijen dhe udhëzimin që i jepte Zoti, sikurse thotë i Lartësuari në një ajet tjetër: “Ai nuk flet sipas dëshirës, por ato janë veçse shpallje, që i vijnë atij.” [Nexhm 3, 4].

Siç kuptohet, Profeti (a.s)ishte i ruajtur nga gabimet në drejtim të përcjelljes së Shpalljes hyjnore dhe nga gabimet në gjykimet fetare. Gjithashtu, ajeti tregon se një gjykim i drejtë duhet të jetë i bazuar në dije dhe në drejtësi. Allahu i Lartësuar thotë: “me atë që të mësoi Allahu”, dhe nuk thotë: “sipas dëshirës tënde”. Kështu, për të gjykuar drejt mes njerëzve, duhet të njohim Kur’ânin. Duke na urdhëruar që të gjykojmë mes njerëzve me drejtësi dhe paanshmëri, Allahu i Lartësuar na ka ndaluar në të njëjtën kohë edhe nga padrejtësia, e cila është e kundërta e drejtësisë:

  “Mos u dil kurrë në krah tradhtarëve!” – Pra, kurrë mos polemizo për të mbrojtur një njeri tradhtia e të cilit të është bërë e qartë dhe e ditur, ose një njeri që pretendon të marrë diçka që nuk i takon, ose atë që mohon përgjegjësitë e veta me ndërgjegje të plotë! Ky ajet tregon për ndalimin e polemikës për çështje të pabaza, si dhe ndalimin e mbështetjes së të padrejtëve, qoftë në polemikat fetare, qoftë në ato për çështjet e kësaj bote. Në vështrim të anasjelltë, ajeti tregon se lejohet të mbështesësh një njeri, për të cilin nuk dihet të ketë bërë padrejtësi.