– “Përveç atyre që strehohen te një popull me të cilin ju keni marrëveshje …” – Ata të cilët kanë bërë pakt me shtetin që ka marrëveshje paqeje me muslimanët. Pra, edhe këta kanë të njëjtin gjykim me popullin që ka pakt paqeje me muslimanët: pasuria dhe jeta e tyre janë të ruajtura dhe të sigurta. Kategoria e dytë janë ata për të cilët Zoti thotë:
– “… e përveç atyre që vijnë te ju, sepse u vjen rëndë të luftojnë kundër jush ose kundër popullit të vet.” – Ata të cilët nuk ua lejon shpirti që të luftojnë muslimanët, por as popullin e vet, prandaj si rrugë të mesme zgjedhin neutralitetin mes dy palëve. Pra, edhe për këtë kategori Zoti ka urdhëruar që të mos i luftojmë. Ky qëndrim ka urtësi të shumta. Ja si thotë Allahu i Lartësuar:
– “Sikur të donte Allahu, Ai do t’u jepte atyre fuqi e pushtet mbi ju, dhe kështu ata do t’ju luftonin. Në qoftë se ata tërhiqen, nuk ju luftojnë dhe ju ofrojnë paqe, atëherë Allahu nuk ju jep të drejtë kundër tyre.” – Kuptimi: Mundësitë e veprimit të tyre janë tre:
1. Të bashkohen me ju e të luftojnë kundër armiqve tuaj, mes të cilëve është edhe populli i tyre. Por kjo është thuajse e pamundur për t’u pranuar prej tyre.
2. Të bashkohen me armiqtë tuaj dhe t’ju luftojnë juve, dhe kjo do të ishte një vështirësi e madhe.
3. Të mos luftojnë as kundër jush, as kundër popullit të tyre, dhe kjo është zgjidhja e mesme dhe më e thjeshtë. Ju, o muslimanë, pranojeni këtë zgjidhje të tretë, që është e pranueshme dhe më e lehtë për ju. Allahu i Lartësuar është i Plotpushtetshëm që t’u mundësojë atyre edhe që t’ju luftojnë së bashku, prandaj pranojeni lehtësimin e ofruar prej Tij dhe falënderojeni Atë, që i ndaloi duart e tyre kundër jush. Ndërsa kategoria e tretë janë ata që synojnë thjesht të arrijnë qëllimet e popullit të vet, pa shfaqur mbështetje për muslimanët. Allahu i Lartësuar thotë për ta: