Select Page

– “Allahu ua ka vulosur zemrat dhe të dëgjuarit e tyre …” – Pra, ua ka vulosur ato në mënyrë të atillë, që në ato zemra të mos hyjë kurrë besimi. Ata, pas këtij bllokimi, nuk e kuptojnë më atë gjë që u bën dobi dhe nuk mund të dëgjojnë diçka që atyre do t’u vlente.

– “… dhe në shikimet e tyre ka perde …” – Allahu u ka vendosur perde, që i ndalon ata të shohin atë çka u vlen dhe u bën dobi. Pa dyshim, këto të trija (zemra, të dëgjuarit dhe shikimi) janë rrugët e dijes dhe rrugët e marrjes së informacionit. Kjo do të thotë që rrugët e dijes dhe të mirësisë qëndrojnë të mbyllura para këtyre njerëzve. Nuk ka më shpresë që ata të besojnë, madje asnjë e mirë nuk mund të shpresohet prej tyre.

Sidoqoftë, duhet të jemi të sigurt se këto rrugë të përfitimit, domethënë rrugët e marrjes së njohurive dhe të mirësive, qëndrojnë të mbyllura para tyre veç për një shkak, i cili është i thjeshtë dhe i kuptueshëm: mohimi, refuzimi dhe kryeneçësia që ata tregojnë ndaj së vërtetës, pasi janë sqaruar plotësisht rreth saj.

Në suren En’am, ajeti 110, Allahu i Lartësuar thotë: “Ne do t’ua largojmë zemrat dhe shikimet atyre, ashtu sikurse nuk e besuan atë (Shpalljen e Zotit) për herë të parë, dhe do t’i lëmë të bredhin të hutuar në shfrenimin e tyre.”. Kjo nënkupton ndëshkimin e përshpejtuar, të cilin ata do ta ‘shijojnë’ dhe do ta përjetojnë që në këtë dynja. Ndërsa rreth ndëshkimit të rezervuar për ta Ditën e Gjykimit, Allahu i Madhëruar thotë:

– “Ata do të kenë dënim të madh.” – Ndëshkimi i madh, i përmendur këtu, është pikërisht ndëshkimi që do të përjetojnë në zjarrin e Xhehenemit. Atje do të vuajnë edhe zemërimin e të Pamposhturit dhe Krenarit (Allahut). Ky ndëshkim do të jetë i përjetshëm dhe i pandërprerë. Më tej, Allahu i Madhëruar na jep edhe një përshkrim të munafikëve (hipokritëve), të cilët, në dukje, shfaqin Islamin, por në shpirt janë të gatuar me mosbesim: