Select Page

“Kur ato t’i afrohen mbarimit të afatit të tyre (të pritjes), atëherë, ose mbajini si duhet, ose ndajini si është më e mira!” – Kur afrohet fundi i kohëpritjes, burri është ende në kohë të bëjë zgjedhjen e tij: ose ta mbajë gruan me mirësi e mirëkuptim, duke përmbushur detyrimet e ndërsjellta, ose ta lëshojë atë. Por nëse koha e pritjes mbaron, ai nuk ka më të drejtë ta kthejë atë grua, veçse me një akt të ri martesor. Nuk lejohet që burri ta kthejë më atë, sepse kështu e bën të vuajë më shumë. Edhe ndarja duhet të bëhet sipas rregullave islame, me drejtësi dhe larg harameve, larg fyerjeve dhe pa e shtrënguar gruan që t’i marrësh mbrapsht pasurinë (mehr-in) që i ke dhënë.

– “Për këtë kërkoni të dëshmojnë dy dëshmitarë të drejtë nga mesi juaj!” – Qoftë kur bëni divorcin, qoftë kur e ktheni gruan, merrni dy dëshmitarë të drejtë nga mesi juaj, domethënë dy burra muslimanë, që janë të drejtë e të ndershëm. Nëpërmjet kësaj dëshmie i pritet rruga çdo keqkuptimi e grindjeje. Gjithashtu, nëpërmjet dëshmisë, të drejtat dhe përgjegjësitë nuk mund të fshihen apo të shkelen padrejtësisht. Pastaj Allahu i Lartësuar u drejtohet dëshmitarëve dhe u thotë:

“Dëshminë bëjeni me korrektësi e për hir të Allahut!” – Dëshmoni me drejtësi dhe saktësi, pa shtuar dhe pakësuar gjë. Me dëshminë tuaj, të synoni kënaqësinë e Allahut të Lartësuar dhe mos e shtrembëroni atë për hir të lidhjeve shoqërore e farefisnore.

“Kështu këshillohet ai që i beson Allahut dhe Ditës së Fundit.” – Nga këto rregulla merr mësim ai që beson Allahun dhe Ditën e Gjykimit. Nuk ka dyshim se besimi në Allahun dhe Ditën e Gjykimit është një nga shkaktarët më të fortë që e bën njeriun që të përfitojë nga këshillat e Zotit, t’i japë përparësi ahiretit dhe të kryejë punë të mira sa të ketë mundësi. Ndryshe ndodh me njeriun që e ka zemrën larg prej imanit. Atë nuk e shqetëson aspak ligësia dhe humbja ku është zhytur dhe këshillat nuk i bëjnë aspak dobi.

“Kush bëhet i devotshëm ndaj Allahut, Ai i jep rrugëzgjidhje për gjithçka dhe e furnizon prej nga nuk e pret.” – Duke qenë se divorci sjell shqetësim, trishtim e ngushtim për robin, Allahu i Lartësuar urdhëron për devotshmëri ndaj Tij. Ai na urdhëron që, edhe në këtë gjendje të vështirë, të përkushtohemi në zbatimin e porosive të Tij. Nëse burri e kryen divorcin brenda normave të Sheriatit, ashtu siç u përshkrua më lart, atëherë ai ka hapësirë zgjedhjeje, pasi edhe mund ta kthejë këtë vendim, nëse ndërron mendje. Atij që vepron në këtë mënyrë, Allahu i Lartësuar ka për t’i sjellë çlirim, lehtësim e rrugëdalje nga vështirësia.

Edhe pse ajeti flet veçanërisht për divorcin, më i rëndësishëm është aspekti gjithëpërfshirës i tij. Në këtë mënyrë, ajeti tregon që çdokush  që i frikësohet Allahut, duke qëndruar brenda kufijve të Tij për çdo çështje, duke synuar me këtë arritjen e kënaqësisë së Allahut të Lartësuar, do të shpërblehet nga Ai me plot të mira në dynja dhe në ahiret. Ndër shpërblimet që Allahu i Lartësuar premton për devotshmërinë është edhe çlirimi, lehtësimi ose rrugëdalja në çdo situatë të rëndë. Ashtu sikurse ai që i frikësohet Allahut do të gjejë çlirim dhe lehtësim, ashtu edhe ai i cili nuk tregohet i devotshëm e ka gjithmonë të vështirë daljen nga situatat e krizës, pasi e ka lidhur veten me prangat e mosbindjes.

Le të marrim shembullin e divorcit. Nëse robi nuk tregohet i devotshëm, pra, nuk zbaton porositë e Zotit në këtë çështje, por e kryen divorcin jashtë normave të caktuara (si për shembull, duke deklaruar divorcin tri herë në një moment), ai ka për t’u penduar thellë për veprimin e tij, por tashmë nuk mund të rregullojë më asgjë. Gjithashtu, atij që tregohet i devotshëm, Allahu i Lartësuar ka për t’ia lehtësuar rizkun dhe mirësitë në mënyra që robi kurrë nuk i ka llogaritur apo menduar.

“Kush i mbështetet Allahut, mjaftohet me Të.” – Për robin që i mbështetet Allahut në çështjet e fesë dhe të dynjasë, duke i kërkuar ndihmë Atij për arritjen e të mirave dhe për mbrojtjen nga të këqijat, duke qenë i bindur se kjo ndihmë do t’i jepet, Allahu i Lartësuar do të jetë i mjaftueshëm për të. Allahu i Lartësuar do ta ndihmojë patjetër këtë njeri për nevojat që ka. Allahu i Lartësuar është më i Pasuri, i Fuqishmi, Krenari dhe i Gjithëmëshirshmi. Allahu është më pranë robit se çdo gjë tjetër. Ai mund t’i plotësojë lutjet dhe kërkesat e robit menjëherë, në çast dhe pa u vonuar. Por ndoshta urtësia e Tij e kërkon që përgjigjja të vonohet për një kohë më të përshtatshme, prandaj i Lartësuari thotë:

– “Allahu ka për ta realizuar vendimin e Tij dhe Ai e ka përcaktuar çdo gjë me korrektësi.” – Çdo urdhër dhe ligj i Tij do të ekzekutohet patjetër, por Allahu i Lartësuar ka përcaktuar kohën, vendin dhe masën e çdo gjëje dhe asgjë nuk mund të dalë jashtë përcaktimit të Tij.