Select Page

– “A mos kanë ata ndonjë pjesë në sundim dhe pushtet? Nëse do të ishte kështu, ata nuk do t’u jepnin njerëzve as një nakir (cipa mbështjellëse e bërthamës së hurmës.)” – Mos vallë, ata kanë pjesë në sundimin dhe pushtetin e Zotit dhe, në këtë mënyrë, të mund të japin dhe privojnë nga mirësitë e Zotit, sipas dëshirave të tyre?! Kjo është një pyetje së cilës i dihet përgjigjja.

Ata sigurisht që nuk kanë pjesë në pushtetin dhe sundimin e Zotit, sepse i gjithë pushteti dhe sundimi i takon vetëm Atij dhe askush nuk vepron në mbretërinë e Zotit pa lejen e Tij. Por Allahu i Lartësuar na tregon se, nëse do të ishte ashtu, me ngushtësinë e shpirtrave të tyre, ata nuk do t’u jepnin njerëzve as edhe gjënë më të vogël. Aq e madhe është koprrracia e tyre, saqë edhe po të kishin pjesë në sundimin e Zotit, përsëri nuk do të jepnin gjë!