Select Page

– “A nuk i sheh ti (o Muhamed) ata që u është dhënë një pjesë prej Librit?” – Ky është qortim për të gjithë ata të cilëve u është dhënë Libri dhe dituria dhe largohen nga udha e drejtë. Gjithashtu, kjo është edhe një këshillë për njerëzit e tjerë, që të jenë të kujdesshëm dhe të mos mashtrohen nga këta të mjerë. Allahu i Lartësuar na i përshkruan kështu ata që e shpërfillin rrugën e drejtë dhe punojnë për devijimin e të tjerëve:

– “Ata blejnë rrugën e gabuar …” – Ata e blejnë humbjen dhe devijimin. Aq shumë e duan humbjen, saqë japin çmimin më të lartë për ta arritur. Ata parapëlqejnë humbjen kundrejt udhëzimit, mohimin kundrejt besimit, dëshpërimin kundrejt lumturisë në të dyja jetët. Përveç këtyre:

– “… dhe dëshirojnë që edhe ju ta humbisni rrugën e drejtë.” – Pra, ata punojnë dhe janë të angazhuar maksimalisht për devijimin e besimtarëve nga rruga e drejtë. Por duke qenë se Allahu i Lartësuar është Miku i dashur dhe Ndihmëtari i besimtarëve, Ai ua qartëson atyre të vërtetën që fshehin armiqtë e tyre, dhe pikërisht faktin që ata dëshirojnë devijimin e besimtarëve dhe luftën kundër tyre. Allahu i Lartësuar tregon se ata janë të devijuar vetë, por dëshirojnë e punojnë edhe për devijimin e besimtarëve. Kësisoj, besimtarët kanë nevojë të kujtojnë dhe të dinë se i vetmi Ndihmëtar dhe Shpëtimtar i tyre nga çdo rrezik dhe armik është Allahu i Lartësuar: