Select Page

O ju që keni besuar! Kujtojeni Allahun sa më shpesh dhe madhërojeni Atë mëngjes e mbrëmje!Allahu i Lartësuar i urdhëron besimtarët që ta kujtojnë Atë shpesh. Mënyrat e përkujtimit të Allahut të Lartësuar janë të shumta, për shembull tehlili, pra, thënia: “Lâ ilâhe il-lall-llâhu uaĥdehû lâ sherîke leh Lehul mulku ue lehul ĥamdu juĥjî ue jumît ue hue alâ kul-li shej’in Kadîr / Nuk ka të adhuruar të merituar veç Allahut! Ai është i vetëm dhe nuk ka partner me të. Atij i takon pushteti dhe mbretërimi! Atij i takon lavdia dhe mirënjohja e plotë! Ai jep jetën dhe vdekjen.

Ai për gjithçka është i plotpushtetshëm141ose tesbih-u, pra, shprehja “Subĥanall-llah” / i pastër nga të metat është Allahu ose “Subĥanell-llahi ue bi ĥamdihi subĥanell-llahil ađhîm” / i pastër nga të metat është Allahu! I lavdëruar e i pastër nga të metat është Allahu i Madhëruar!; ose tahmidu, pra, shprehja “Elĥamdu lil-lah” / i lavdëruar qoftë Allahu! etj. Madje, çdo fjalë që të afron tek Zoti konsiderohet si kujtim i Zotit. Më e pakta që duhet të bëjë njeriu për t’u konsideruar si zbatues i kësaj porosie të të Madhërishmit është: leximi i lutjeve të mëngjezit dhe të mbrëmjes, lutjet pas pesë namazeve të ditës dhe lutjet gjatë veprimeve të ditës dhe të natës. 142

Ai duhet të jetë i vazhdueshëm dhe sistematik në kryerjen e këtyre lutjeve, në të gjitha gjendjet dhe situatat, sepse ky është një lloj adhurimi i thjeshtë, por shumë i rëndësishëm. Nëpërmjet tij arrihen shumë mirësi, si më poshtë:

1. Njeriu do të ngrihet shumë lart, edhe pse nuk shpenzon shumë mund.

2. Ky është një adhurim shumë i thjeshtë, por nëpërmjet tij arrihet dashuria e Allahut për ty dhe kultivohet në zemër dashuria jote për Allahun e Lartësuar.

3. Ai të mundëson një njohje shumë të thellë të Allahut të Madhëruar, të emrave, cilësive dhe veprave të Tij të urta.

4. Ai të ndihmon për fillimin e veprave të mira, për vazhdimësinë në to dhe për përfundimin me sukses të tyre.

5. Ai bën të mundur që veprat e tua të pranohen dhe shpërblimi për to të shumëfishohet.

6. Ai të ndalon nga veprat e këqija dhe të shpëton prej dëmit të tyre etj.

   Allahu na urdhëron për tesbiĥ mëngjes e mbrëmje, sepse këto janë dy kohë të rëndësishme për dhikrin dhe puna në to është e thjeshtë dhe e dashur.

141 Kush e lexon këtë para lindjes së diellit është i ruajtur nga shejtani deri në perëndim të diellit dhe kush e lexon para perëndimit të diellit është i ruajtur nga shejtani deri në mengjes.

142 Shih ‘Mburoja e muslimanit’ etj.