– ”Elif, Lam, Mim. Romakët u mundën, në tokën më të afërt (me arabët) …” – Rreth gërmave të përmendura në fillim të sureve është folur dhe qartësuar më parë se cili është qëndrimi ynë. Persia dhe Roma, në atë kohë, ishin fuqitë më të mëdha në botë dhe mes tyre zhvilloheshin shpesh luftëra e përplasje, ashtu siç ndodh zakonisht mes fuqive të barabarta. Persianët ishin idhujtarë dhe adhuronin zjarrin, ndërsa romakët besonin Teuratin dhe Ungjillin, gjë që i bënte ata të ishin më afër besimtarëve sesa persët. Për këtë arsye, muslimanët shpresonin dhe e dëshironin fitoren e romakëve kundër persëve.
Ndërsa idhujtarët kurejshë, duke qenë të ngjashëm në idhujtari me persët, dëshironin fitoren e persëve. Ndodhi që persët fituan kundër romakëve në një luftë të zhvilluar mes tyre në pjesën më të afërt të Tokës, që e kishin nën sundim persianët. Kjo solli gëzimin e idhujtarëve kurejshë të Mekës dhe trishtimin e muslimanëve, por në ajetin vijues Allahu i Lartësuar i njofton muslimanët se romakët do të fitojnë në një përballje tjetër të tyre me persët.
– ”… por pas disfatës së tyre, ata do të ngadhënjejnë, brenda pak viteve.” – Domethënë, brenda një afati 3 – 9 vjet. Ai na njofton, gjithashtu, se si fitorja e persëve, ashtu edhe ajo e romakëve ndodhën me dëshirën e përcaktimin e Allahut:
– ”Çështja është në dorë të Allahut, fillim e mbarim.” – Fitorja nuk është produkt vetëm i marrjes së masave njerëzore dhe përgatitjes, por ajo është e lidhur ngushtë dhe nuk mund të dalë jashtë përcaktimit dhe vullnetit të Zotit.
– ”Atë ditë, besimtarët do të gëzohen për ndihmën e Allahut. – Ditën kur romakët do t’i mundin persianët do të gëzohen besimtarët muslimanë. Ata do të gëzoheshin me fitoren e romakëve mbi persët, edhe pse të dyja palët ishin mohues të besimit të drejtë, por një e keqe mund të jetë më e vogël se një e keqe tjetër. Ndërsa idhujtarët do të trishtoheshin.
– ”Ai ndihmon atë që do dhe Ai është i Gjithëfuqishëm e Mëshirëplotë. – Ai është Ngadhënjimtari e Krenari, që me pushtetin dhe krenarinë e Tij ka ngadhënjyer mbi të gjitha krijesat dhe i ka nënshtruar ata. Allahu ia jep pushtetin dhe mbretërimin atij që Ai do dhe ia heq prej duarsh atij që Ai do. Ai krenon dhe lartëson atë që Ai do edhe e poshtëron dhe e përul atë që dëshiron. Allahu është edhe mëshirëplotë me robërit e Tij besimtarë. Me mëshirën e Tij të plotë, Ai u mundëson atyre çdo gjë që bën të mundur lumturinë dhe triumfin e tyre. Me mëshirën e Tij, Ai u sjell atyre mirësi dhe ndihmë përmes rrugëve që ata as nuk i mendojnë e llogarisin.
– ”Ky është premtimi i Allahut, dhe Allahu nuk e thyen premtimin e Vet … – Të jeni të sigurt në këtë premtim dhe kini bindje të plotë se kjo do të ndodhë patjetër. Kur zbritën ajetet me këtë premtim, besimtarët u gëzuan dhe e pritën plot shpresë e gëzim atë, ndërsa idhujtarët Mekas e mohuan dhe i vunë në dyshim këto premtime.
Madje, disa besimtarë diskutonin me idhujtarët, duke shprehur sigurinë e plotë se ajo ngjarje do të ndodhte brenda një periudhe jo më shumë se 10-vjeçare, duke vënë bast për këtë çështje. Allahu i Lartësuar bëri që të fitonin romakët dhe t’i dëbonin persët nga ajo tokë që ua patën marrë më parë, dhe kështu u plotësua premtimi i Allahut të Madhëruar. Kjo ishte një profeci rreth çështjeve të fshehta, që u vërtetuan e u dëshmuan nga muslimanët dhe idhujtarët e asaj kohe.
– ”… por shumica e njerëzve nuk e dinë. – Ata nuk e dinë se premtimi i Allahut është i vërtetë. Ka shumë njerëz, të cilët nuk i besojnë premtimet e Allahut dhe i mohojnë shenjat dhe shpalljet e Tij.