– ”Atyre do t’u thuhet: “Lutjuni zotave tuaj!”. – Lutjuni atyre që shpresonit se do t’ju sillnin ndonjë të mirë. Atyre u thuhet që t’u luten idhujve në atë kohë të vështirë dhe kur janë në nevojë të madhe; në atë kohë kur adhuruesi i lutet të adhuruarit të tij për shpëtim.
– ”Ata do t’u luten atyre, por ata nuk do t’u përgjigjen dhe do të shohin dënimin.” – Ata do t’u luten për t’u sjellë ndonjë të mirë ose për të larguar dënimin, që i ka mbuluar, por: “…ata nuk do t’u përgjigjen dhe do të shohin dënimin.” Atëherë do ta mësojnë e do të binden se ata ishin mashtrues dhe trillues, që e meritojnë ndëshkimin. Ata do ta shohin me sy dënimin që u afrohet e që do t’i përpijë. Do ta shohin me sytë e ballit atë që kanë mohuar se do të ndodhte.
– ”Ah, sa do të dëshirojnë të kishin qenë në Rrugën e Drejtë! Atë ditë, Ai (Allahu) do t’u thërrasë atyre e do t’u thotë: “Ç’përgjigje u keni dhënë të dërguarve të Mi?” – A i pranuat dhe besuat mesazhin e tyre, apo i quajtët gënjeshtarë dhe e refuzuat rrugën dhe mesazhin e tyre?