Select Page

– ”Unë kam frikë për popullin tim (se do të mbeten pa udhëheqës) pas meje dhe gruaja ime është beronjë.” – Unë shqetësohem, o Zot, se kush do ta marrë në dorë çështjen e bijve të Izraelit pas vdekjes sime. Kam frikë se ata nuk do t’i shërbejnë fesë ashtu si duhet. Kush do të duhet t’i ftojë njerëzit që të të adhurojnë Ty dhe të nënshtrohen për të jetuar sipas ligjit Tënd.

Me sa duket, Zekeria nuk kishte parë ndër bijtë e Izraelit ndonjë që të meritonte të ishte udhëheqës i popullit në besimin dhe fenë e drejtë. Kjo tregonte dhembsurinë, mëshirën dhe kujdesin e Zekerias për popullin e tij. Kërkesa e tij për djalë nuk ishte si e çdo njeriu për pasardhës, pra vetëm që të mbante emrin e tij ose për ndonjë çështje të kësaj bote.

Qëllimi i tij ishte dobia fetare dhe frika e devijimit të popullit, sepse nuk do të mbetej askush që të vazhdonte misionin e tij. Shtëpia e Zekerias ishte e njohur për besimin e pastër dhe adhurimet e shumta. Ajo ishte vatër e profetësisë dhe prej saj kishte veçse mirësi.

Kjo qe një arsye që Zekeria e luti Allahun t’i dhuronte një djalë, që ai të ishte i denjë për rregullimin e fesë dhe udhëheqjen e popullit. Por, nga ana tjetër, ai u ankua se e shoqja nuk mund të lindte fëmijë, ndërsa ai vetë ishte shumë plak, saqë vështirë se mund të pritej fëmijë prej tij. Megjithatë, Zekeria u lut dhe tha:

– ”Më dhuro nga mirësia Jote një trashëgimtar (të denjë). (Një që) të jetë trashëgimtari im dhe i familjes së Jakubit …” – Më dhuro një djalë, që të jetë udhëheqës në fe dhe në besimin e drejtë! Më dhuro një djalë që të jetë trashëgimtar i profetësisë, i diturisë së pastër dhe i veprave të mira e të sinqerta!

… dhe bëje atë, o Zoti im, të mirë!” – Bëje adhurues të mirë, që të të kënaq Ty, o Zot, dhe që ta duan njerëzit! Zekeria iu lut Allahut për një djalë të devotshëm e adhurues të mirë, që të mbetej pas vdekjes së tij dhe të ishte i dashur i Zotit, imam i njerëzve dhe përhapës i fesë së drejtë. E ku ka fëmijë me cilësi më të mira se këto? Nuk ka dyshim se është mëshirë e madhe nga Zoti që t’i dhurojë njeriut një djalë të mirë, të devotshëm, me moral të lartë dhe sjellje e edukatë të mirë. Kështu, Allahu e mëshiroi Zekerian, duke i dhuruar një djalë të tillë.