Ja edhe një tjetër mesazh i rëndësishëm, që tregon përse u zbrit ky Kur’an:
– “Si edhe për t’i paralajmëruar ata që thonë se Allahu ka bir.” – Këtu bëhet fjalë për jehudët, krishterët dhe idhujtarët e çdo lloji, të cilët bënë këtë shpifje të shëmtuar për Zotin e botëve. Ata i thonë këto fjalë duke mos patur asnjë lloj diturie e sigurie:
– “Kurrfarë dijenie nuk kanë ata për këtë dhe as etërit e tyre nuk kishin.” – Nuk kanë dituri e fakte, as këta dhe as të parët e tyre, rrugën e të cilëve këta e pasojnë verbërisht. Ata ndjekin veçse hamendësime dhe atë që ua dikton vetja, dëshirat e tyre të prishura dhe të devijuara nga e vërteta.
– “Sa e rëndë është ajo fjalë që del nga gojët e tyre!” – Shëmtia e kësaj fjale është shumë e madhe dhe ndëshkimi për të është po i tillë. E ku ka shëmti më të madhe sesa të thuash për Zotin se ka fëmijë, gjë kjo që do të thotë mangësi për Të dhe cenon madhështinë e Tij. Kështu, Allahu nuk do të ishte më i Vetëm në aspektin rububije dhe as në atë uluhije, sepse i tillë do të ishte dhe “biri” i Tij.
Kjo është thjesht një gënjeshtër e shëmtuar për të Madhërishmin, që është i Vetëm dhe i Pashoq në çdo aspekt. Nuk ka padrejtësi më të madhe sesa të gënjesh kundër Zotit. Ai thotë: “E kush është më i padrejtë se ai që trillon gënjeshtra ndaj Allahut, për t’i devijuar njerëzit, nga padija e tyre? Pa dyshim, Allahu nuk i udhëzon keqbërësit.” [En’am 144]. Kurse në këtë ajet thotë:
– “Ajo që thonë ata është veçse gënjeshtër.” – Kjo është një gënjeshtër, në të cilën nuk ka asnjë grimë të vërtete. Vërej me kujdes se si Allahu i Madhëruar deklaron gradualisht kotësinë e këtij besimi të devijuar dhe të pavërtetë! Në fillim, Ai thotë: “Ata nuk kanë asnjë dijeni për këtë, madje as etërit e tyre.” Dhe të folurit rreth Allahut pa dituri është sigurisht ndër gjërat më të dënueshme dhe më devijuese nga e vërteta. Pastaj, duke kaluar në një hap tjetër edhe më të fortë, thotë: “Sa e rëndë është ajo fjalë që del nga gojët e tyre!”
Pra, deklaron se kjo është një fjalë e shëmtuar, duke i ftuar ata të meditojnë për shëmtinë dhe kotësinë e saj. Më tej thotë: “Ata flasin veçse gënjeshtra.” Së fundmi, pasi i ftoi të meditonin rreth faktit që ky është një besim që nuk ndërtohet mbi argument, nuk mbështetet në logjikë të pastër, madje është i shëmtuar dhe cenon madhështinë e Allahut si Zot, si Krijues dhe si i Vetmi që meriton adhurimet, i fton të kuptojnë se kanë të bëjnë veçse me gënjeshtra për Zotin dhe janë shumë larg së vërtetës.