– ”Atëherë, Zoti shpalli: “Ne do t’i shkatërrojmë keqbërësit dhe do t’ju vendosim të banoni në atë tokë pas tyre.” – Zoti do t’i ndëshkojë mohuesit e padrejtë me forma të ndryshme dhe të shumta. Ndërsa të dashurit dhe besimtarët e sinqertë, Ai do t’i shpërblejë mirë. Ky përfundim i mirë që Allahu i Lartësuar u dhuroi profetëve dhe pasuesve të tyre të sinqertë është i posaçëm dhe ka lidhje të ngushtë me një cilësi të mrekullueshme:
– ”Kjo është për ata që i frikësohen qëndrimit para Meje dhe i frikësohen dënimit Tim.” – Kjo është për ata që ia kanë frikën Zotit në këtë botë dhe e ndiejnë mbikëqyrjen e Tij, duke e ditur mirë se Ai i shikon. Cilësia tjetër është që i frikësohen kërcënimit të Zotit për ata që nuk i binden. Kjo bën që ata ta ndalin veten nga ato gjëra që Zoti i urren dhe të kryejnë ato gjëra, me të cilat Ai kënaqet.