– “(Për ta janë përgatitur) Xhenetet e Adnit, ku do të hyjnë ata dhe prindërit, gratë dhe fëmijët e tyre, të cilët kanë qenë vepërmirë.“ – Ato janë Xhenetet e Adnit, pra, kopshtet e qëndrimit të përhershëm, nga ku nuk kanë për t’u larguar kurrë dhe nuk kanë për të kërkuar që t’u ndryshohet apo t’u zëvendësohet me diçka tjetër. E si mund të kërkojnë diçka tjetër nga ky vend, që vetë Allahu i Lartësuar e ka përgatitur për të dashurit e Tij dhe në të cilin gjenden të gjitha mirësitë që sjellin lumturi dhe gëzim.
Në Xhenet ka gjithçka që ata fatlumë e kërkojnë dhe e ëndërrojnë. Allahu i Madhëruar tregon se do t’ua qetësojë shpirtin dhe do t’ua kënaqë sytë të dashurve të Tij, duke thënë: “Xhenetet e Adnit, ku do të hyjnë ata dhe prindërit, gratë dhe fëmijët e tyre, të cilët kanë qenë vepërmirë.” Kështu, ata do të bashkohen në Xhenet me paraardhësit dhe me bashkëshortet e tyre.
Fjala “ezuaxh” (bashkëshortet) ka edhe kuptimin “ata të cilët kanë qenë të ngjashëm me ta, aspektin e veprave të mira”; pra, edhe këta konsiderohen si “të afërt” me besimtarët. Prania e këtyre të dashurve ua shton më shumë kënaqësinë dhe lumturinë në Xhenetin e Zotit. Një tjetër kënaqësi që ata përjetojnë është edhe prania e melekëve, të cilët i vizitojnë në çdo kohë. Thotë Allahu i Lartësuar:
– “Melekët do t’i vizitojnë ata, duke u hyrë nga çdo portë: “Selamun alejkum!” – Ata i përshendesin me selam dhe i përgëzojnë për nderimin e madh që Allahu i Lartësuar u ka rezervuar. Ata u drejtohen me ato fjalë të dashura, duke u thënë “selamun alejkum”. Selam-i është përshëndetja e Allahut të Lartësuar për ta, prandaj ata do t’i përfshijë paqja dhe siguria. Kjo do të thotë se ata do të shpëtojnë nga çdo gjë e keqe së cilës i druhen dhe do të lumturohen me çdo gjë të mirë që e dëshirojnë. Por Allahu i Lartësuar thotë diçka tjetër, që është shumë e rëndësishme për t’u kuptuar:
– “Me durimin tuaj gjetët shpëtimin.“ – Domethënë, vetëm përmes durimit, ata arrijnë këto grada të larta në Xhenetin e mrekullueshëm.
– “Sa e mirë është Shtëpia e tyre e përjetshme!“ – Kështu, çdokush që e vlerëson veten dhe i dëshiron të mirën asaj, e nënshtron atë për t’u përpjekur dhe punuar fort, me shpresë që të stoliset me cilësitë e të mençurve. Vetëm në këtë mënyrë mund të shpresojë se do të ketë pjesë në Xhenet, në atë vend aq të bukur, i cili gjithmonë ka qenë motivuesi dhe lumturuesi i i shpirtrave të mirë. Në atë vend të bukur janë mbledhur të gjitha kënaqësitë dhe mirësitë lumturisjellëse. Për të tilla mirësi le të punojnë më aktivët dhe le të garojnë ambiciozët.