Select Page

– “(Ju është ndaluar martesa) Edhe me gratë që janë tashmë të martuara, përveç atyre (robinjave) që i keni në posedimin tuaj.” – Nuk lejohet martesa me një grua, për sa kohë ajo është e martuar me një burrë tjetër. Me të mund të martohesh vetëm nëse divorcohet dhe pasi të ketë përfunduar periudhën e pritjes. Përjashtim bëjnë vetëm robëreshat e zëna në luftë, sepse i Lartësuari thotë: “…përveç atyre (robinjave) që i keni në posedimin tuaj.”. Pra, nëse një grua është zënë robinjë në një luftë, muslimani e ka të lejuar të martohet me të, edhe nëse ajo është e martuar, sepse me kapjen e saj si robinjë, akti i saj martesor prishet, kështu që i vetmi kusht mbetet pritja e kohës së pastrimit, që të vërtetohet se nuk është shtatzënë.

Po kur një skllave e martuar blihet apo i dhurohet një burri, ose i jepet liria? Në këtë rast, ajo konsiderohet ende si e martuar. Argument për këtë rast është edhe ngjarja e Beriras, së cilës Profeti (a.s.) i dha mundësinë për të zgjedhur: ose të qëndronte me burrin e saj, Mugithin, ose të prishte martesën me të, pasi Aishja i dha asaj lirinë. Ajo zgjodhi shkëputjen e lidhjes me Mugithin. Nëse thjesht me shitjen e saj akti martesor do të prishej, atëherë Profeti (a.s.) nuk do t’ia linte asaj në dorë shkëputjen apo vazhdimin e lidhjes bashkëshortore 23 .

– “Ky është urdhri i Allahut për ju.” – Këto janë dispozitat e Allahut për ju, prandaj përqendrohuni në to, udhëzohuni dhe përmbajuni atyre me përpikmëri. Këto ligje janë zgjidhja e problemeve tuaja dhe çelësi për të bërë një jetë të lumtur. Në këto dispozita tregohet hallalli dhe harami.

– “Veç këtyre, për ju janë të lejuara të gjitha gratë e tjera që t’i merrni (në martesë) me pasurinë tuaj, duke pasur për qëllim bashkëshortësinë, jo prostitucionin.” – Kuptimi: Të gjitha kategoritë e tjera, që nuk janë përmendur në ajet, janë të lejueshme për ju që të martoheni. Harami është i kufizuar, ndërsa hallalli është i gjerë dhe i pakufizuar. Kjo është mirësi, mëshirë, butësi dhe lehtësim nga Allahu i Lartësuar për robërit e Tij. Është e lejuar për ju që, me pasurinë tuaj, të zgjidhni çfarë të dëshironi prej kategorive të lejuara, por me kusht që qëllimi të jetë ruajtja nga imoraliteti e vetes suaj dhe e gruas me të cilën do të martoheni.

Gjithashtu, hedhja e farës duhet të bëhet në hallall dhe jo në haram. Ata që i shfryjnë epshet e tyre në haram nuk janë ruajtës të vetes dhe të grave të tyre nga imoraliteti, sepse duke e harxhuar epshin në harame, aftësia për ta përdorur atë në hallall do të dobësohet. Po ashtu, ky ajet ka shenja që tregojnë se personi i pandershëm nuk duhet të zgjidhet dhe as pranohet për martesë.

Bashkëshorti duhet të jenë muĥŝin, pra, që e ruan nderin e vet dhe të bashkëshortes së tij, dhe që epshin e shpenzon në rrugët hallall, jo në ato haram. Kështu thuhet edhe në suren Nur, ajeti 3: “Laviri nuk mund të martohet veçse me një lavire ose idhujtare. Dhe me laviren nuk mund të martohet kush, veçse një lavir ose idhujtar. Ajo (imoraliteti ose martesa me ta) është e ndaluar për besimtarët.”. Më tej, i Lartësuari thotë:

– “Jepjani mehrin e caktuar bashkëshorteve tuaja, me të cilat keni kontaktuar. – Kuptimi: Jepjani dhuratën e përcaktuar martesore atyre grave me të cilat jeni kënaqur duke kryer marrëdhënie seksuale. Nëse burri kontakton me gruan e tij, e ka detyrë që t’ia japë asaj mehrin, sepse është  feridah’ – detyrim i përcaktuar që të jepet. Ky është njëri kuptim i fjalës ‘feridah’, ndërsa kuptimi tjetër është: “i përcaktuar sipas marrëveshjes”. Pra, jepjani masën e paracaktuar në marrëveshjen mes jush, pa e cenuar atë aspak.

– “Nuk ka gjynah për ju nëse, me mirëkuptim të dyanshëm, e shtoni a e pakësoni mehrin.” – Për çdo ndryshim të mehrit me mirëkuptim të dyanshëm nuk ka gjynah. Me fjalë të tjera, shtimi i masës së mehrit nga ana e burrit mbi masën e përcaktuar apo edhe heqja dorë e gruas nga një pjesë e masës së përcaktuar, janë veprime të lejueshme.

– “Allahu është i Gjithëditur e i Urtë.” – Dija e Allahut është e plotë, e gjerë dhe gjithëpërfshirse. Po kështu është edhe Urtësia e Tij. Prej dijes dhe urtësisë së Tij janë edhe këto ligje, që bëjnë të qartë hallallin dhe haramin.

23  Hadithi është në dy ‘Sahih’-ët.