– “Thuaj: “Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm.” – Allahu i Lartësuar na udhëzon që të bëjmë një deklaratë, të cilën duhet ta besojmë plotësisht dhe të jemi tërësisht të sigurt për vërtetësinë e saj. Ai na urdhëron që të bëjmë një deklaratë të fuqishme, duke ia ditur kuptimin e saj të qartë dhe të saktë. Po ç’qenka kjo deklaratë, të cilën i Lartësuari na urdhëron që ta themi hapur? Ajo është: “Allahu është Ehad”, domethënë Ai është i Një, i Vetëm e Unik, në çdo aspekt. Ai është i vetmi me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tij të larta dhe absolutisht të plota. Ai është i vetmi me veprat e Tij madhështore, që nuk kanë shembull dhe ngjashmëri me asgjë tjetër në ekzistencë.