Select Page

– “Ata që e hanë pa të drejtë pasurinë e jetimëve, në të vërtetë hanë atë që ua mbush barkun me Zjarr. Ata do të hidhen në Zjarrin e ndezur fort.” – Të kërcënuar janë ata që përfitojnë padrejtësisht nga pasuria e jetimëve. Kështu, janë përjashtuar ata që u përmendën më sipër. Me fjalë të tjera, çdokush që merr pasurinë e jetimit jashtë kufijve të Sheriatit, ka bërë padrejtësi, e nëse merr diçka brenda kufijve të Sheriatit, kjo është e tolerueshme.

Për shembull, nëse kujdestari ligjor i jetimit është i varfër, i lejohet të hajë së bashku me jetimin nga pasuria e jetimit, por me masë dhe jo duke e tepruar apo duke u ngutur që të përfitojë prej asaj pasurie para se jetimi të arrijë moshën e aftësisë së plotë vepruese me pasurinë e tij. E lejuar është, gjithashtu, që kujdestari ligjor i jetimit ta përziejë ushqimin e tij me atë të jetimit. Ky lehtësim nuk përbën ndonjë shkelje, por gjithmonë brenda kufijve të lejuar, dhe jo me tendencë për të abuzuar.

Allahu i Lartësuar i di mirë ata që duan të abuzojnë dhe për ta ka përgatitur dënim shumë të dhimbshëm. Allahu i Lartësuar na tregon se këta të padrejtë do të flaken në Zjarrin përvëlues dhe të ndezur fort. Ky është kërcënimi më i frikshëm që është thënë për gjynahqarët. Ai tregon se sa i shëmtuar dhe i madh është gjynahu i ngrënies së pasurisë së jetimëve padrejtësisht. Ajeti dëshmon se ky është një nga gjynahet e mëdha, prandaj e lusim Allahun të na ruajë nga të tilla gjynahe!