Select Page

    Edhe këtu kemi të bëjmë me një prej ligjeve të mrekullueshme të Allahut të Mëshirshëm, të cilët kënaqin dhe qetësojnë çdo zemër dhe shpirt. Kështu, gjatë ndarjes së trashëgimisë mund të jenë të pranishëm edhe të afërm të të ndjerit, të cilët nuk meritojnë pjesë sipas ligjit të trashëgimisë, por që janë pjesë e atyre grupeve të shoqërisë që mund të përfitojnë nga sadakatë. Për këta, Allahu i Lartësuar na udhëzon që të jemi të mëshirshëm dhe bujar ndaj tyre, duke u dhënë diçka, qoftë edhe pak, nga ajo pasuri që merret pa lodhje e mund.

Në ato çaste, sytë dhe zemrat e këtyre njerëzve janë të drejtuara drejt nesh dhe dëshirojnë diçka, prandaj Allahu i Lartësuar na porosit që t’i qetësojmë zemrat e tyre dhe t’ua kënaqim syrin duke u dhuruar ndonjë send prej pasurisë, pa u dëmtuar vetë. Nga ky ajet kuptojmë se, jo vetëm në rastin e ndarjes së trashëgimisë, por në çdo rast të ngjashëm, është mirë që njeriu t’u  japë të tjerëve nga mirësitë me të cilat Zoti e ka begatuar, kur ata janë të pranishëm.

Profeti (a.s.) na ka porositur: “Nëse dikujt prej jush shërbëtori i sjell ushqimin, le ta ulë edhe atë në tavolinë, që të ushqehet së bashku me të. Nëse nuk e ul në të, le t’i japë një kafshatë ose dy.” Sahabët (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!) kur fillonin vjeljen e prodhimeve të tyre, e dërgonin fillimisht prodhimin te Profeti (a.s.), që ai ta provonte dhe të lutej për ta që Zoti t’i begatonte. Por Profeti (a.s.), para se të fillonte vetë, shikonte më të vegjlit dhe u jepte atyre, sepse e dinte dhe e ndiente dëshirën e tyre të fortë për t’i provuar ato prodhime.

Kjo është një këshillë e mrekullueshme, tepër e vlefshme atëherë kur është e mundur, kur nuk prek të drejtat e të tjerëve apo kur nuk ka diçka më të rëndësishme për t’u përmbushur. Po ashtu, në raste të tilla, të paktën nevojtarëve u thuhen fjalë të ngrohta dhe të buta, duke i larguar me respekt dhe edukatë. Pra, gjithmonë me fjalë të mira e të buta, jo me fjalë të vrazhda.