Select Page

  Allahu i Lartësuar betohet në melekët e Tij dhe në detyrat me të cilat i ka ngarkuar ata. Në zbatimin e këtyre detyrave, ata tregojnë bindje dhe nënshtrim të plotë. Ata janë zbatues të nënshtruar të urdhrave të Zotit. Janë dy shpjegime të mundshme të arsyes pse Allahu i Lartësuar bën gjithë këto betime:

1.  Allahu i Lartësuar i bën këto betime për të përforcuar vërtetësinë e Ditës së Gjykimit. Ky është një shpjegim i pranueshëm, sepse menjëherë pas betimeve, bëhen disa përshkrime të Ditës së Gjykimit.

2. Allahu i Lartësuar është betuar në melekët, pikërisht për të treguar rëndësinë e melekëve dhe rëndësinë e besimit për melekët, besim ky i cili konsiderohet si njëri nga gjashtë shtyllat e imanit. Por duke përmendur veprat e tyre, mund të kuptojmë se betimet janë bërë edhe për të vërtetuar faktin e shpërblimit të krijesave në momentin kur u merret shpirti, dhe më pas, në Ditën e Gjykimit. Kështu, Allahu i Lartësuar thotë:

– “Betohem për ata (melekë) që me forcë rrëmbejnë shpirtrat (e keqbërsve).” – En-naziati janë melekët që e shkulin shpirtin me forcë. Këta melekë zhyten brenda trupit, derisa e nxjerrin shpirtin jashtë, për ta shpërblyer sipas veprave që ka kryer.