Select Page

– “Ka pasur burra prej njerëzve, që u kërkonin ndihmë xhindeve, duke ua shtuar kështu edhe më shumë kryeneçësinë.” – Këta njerëz adhuronin xhindët dhe i kërkonin ndihmë, në raste frike dhe nevoje. Por me këtë adhurim, njerëzit ua shtuan xhindëve arrogancën. Ata u bënë edhe më kryelartë, kur shihnin njerëzit që i adhuronin dhe kërkonin ndihmë prej tyre. Nga ana tjetër, xhindët ua shtuan njerëzve frikën, me qëllim që ata t’i përkushtoheshin edhe më shumë. Kështu, për shembull, kur futeshin në ndonjë luginë të frikshme, njerëzit thoshin: “Kërkoj mbrojtje prej xhindit që zotëron në këtë luginë, që të më ruajë prej së keqes së mendjelehtëve të popullit të tij (xhind).” 194

 

194  Për këtë çështje, imam Ibn Kajjimi ka thënë: “Ai të Cilit i kërkohet mbrojtja dhe ndihma është Allahu, i Adhuruari i vetëm, sepse Allahu i Lartësuar është Zoti, Sunduesi i agimit, Zoti i njerëzve, Sunduesi i tyre, i Adhuruari i tyre. Nuk lejohet t’i kërkosh mbrojtje dhe ndihmë askujt tjetër, veç Allahut. Vetëm Ai i mbështet dhe mbron ata që i kërkojnë mbrojtje e ndihmë. Vetëm Ai mund t’ua largojë atyre të keqen, prej së cilës ata ruhen dhe kërkojnë mbrojtje. Allahu i Lartësuar na tregon në Librin e Tij se, nëse ndihma dhe mbrojtja kërkohet prej krijesave, atyre u shtohet edhe më tepër arroganca dhe mospërmbajtja. Kështu, duke cituar besimtarët xhindë, i Lartësuari thotë: “Ka pasur burra prej njerëzve, që u kërkonin ndihmë disa burrave prej xhindëve, duke ua shtuar kështu edhe më tepër arrogancën.” 

Në tefsirin e këtij ajeti është thënë se, në kohën e injorancës paraislamike, kur arabët udhëtonin dhe kalonin përmes tokave të pa njohura, kërkonin ndihmë prej xhindëve, duke thënë: “Kërkoj mbrojtje prej xhindit që zotëron në këtë luginë, që të më ruajë prej së keqes së mendjelehtëve të popullit të tij xhind.” Në këtë mënyrë, ata mendonin se do ta kalonin natën të sigurt, të ruajtur prej sherrit të xhindëve të asaj lugine, deri në agim. Por duke u kërkuar ndihmë atyre, njerëzit ua shtuan edhe më shumë arrogancën dhe mospërmbajtjen krerëve të xhindëve. Prandaj thotë i Lartësuari:  “Ka pasur burra prej njerëzve, që u kërkonin ndihmë disa burrave prej xhindëve, duke ua shtuar kështu edhe më tepër arrogancën.” Pra, për shkak se u kërkohej ndihmë, xhindëve iu shtua edhe më tepër shfrenimi në kalimin e kufijve të Allahut.  Ata thonin: “I sunduam edhe xhindët, edhe njerëzit bashkë!”.