– “O ju që keni besuar! Mos u bëni si jobesimtarët …” – Allahu i Lartësuar i ndalon adhuruesit e tij besimtarë që t’u përgjasojnë mohuesve të Tij, të cilët nuk e besojnë dhe as adhurojnë Zotin e gjithësisë, të cilët nuk e besojnë kaderin e Tij, munafikë qofshin apo të tjerë. Ky ndalim është gjithëpërfshirës, por në mënyrë të veçantë në aspektin vijues:
– “… që thoshin për vëllezërit e vet që niseshin për rrugë ose për luftë: “Sikur të qëndronin me ne, ata nuk do të vdisnin dhe nuk do të vriteshin.” – Kështu thonin ata për vëllezërit e tyre të gjakut apo të fesë, kur niseshin në udhëtim për tregti ose për të luftuar.
– “Allahu ka për ta bërë këtë një dëshpërim të madh për zemrat e tyre (mohuesve).” – Ata kundërshtonin caktimin e Allahut, a thua se kishin ndonjë mundësi për t’i shpëtuar atij. Ky qe një vetëmashtrim i qartë i tyre, sepse i Lartësuari thotë: “Edhe sikur të ishit në shtëpitë tuaja, ata që do të ishin caktuar të vriteshin, do të shkonin patjetër në vendin ku do të vriteshin.” [Al Imran 154].
Ose: “Kudo që të jeni, vdekja do t’ju kapë, edhe në qofshi në kështjella të fortifikuara mirë.” [Nisa 78]. Të mjerët! Nuk donin ta pranonin se ky vetëmashtrim nuk do t’i ndihmonte aspak të shpëtonin nga caktimi dhe gjykimi i drejtë i të Urtit, të Gjithëditurit. Të tilla fjalë ishin thjesht burim i dëshpërimit në shpirtin e tyre. Ato e thellonin edhe më shumë fatkeqësinë e tyre.
Ndërsa besimtarët e sinqertë të Allahut e dinë me siguri dhe e pranojnë se çdo gjë vjen veçse me caktimin e Allahut. Ata e dinë se detyra e tyre e vetme është të besojnë dhe ta pranojnë me kënaqësi caktimin e Allahut të Lartësuar, sepse vetëm në këtë mënyrë Ai do t’i ndriçojë dhe udhëzojë zemrat e tyre dhe do t’i forcojë ata të përballojnë çdo situatë dhe sprovë, sado të rënda qofshin ato. Pastaj Allahu i Lartësuar i qorton ata duke përmendur disa fakte të padiskutueshme të madhështisë dhe pushtetit të Tij absolut.
– “Allahu është Ai që jep jetë dhe jep vdekje.” – Allahu është i vetmi që ka fuqi për një gjë të tillë, ndërkohë që kujdesi i njeriut nuk mund ta ndryshojë aspak kaderin.
– “Allahu shikon gjithçka që bëni ju.” – Ai do t’ju shpërblejë sipas punëve apo mohimit tuaj. Pastaj Allahu i Lartësuar na tregon se martirizimi në rrugën e Tij nuk është diçka negative. Përkundrazi, ai është një gradë e lartë për të cilin duhet garuar, sepse është një shkak për faljen dhe mëshirën e Allahut. Martirizimi në rrugën e Tij është shumë herë më i mirë se ajo që grumbullojnë ata që adhurojnë dynjanë prej saj, siç thotë i Lartësuari: